Komediani turk përballet me katër vjet burg pas fyerjeve ndaj Erdoganit gjatë Stand Up-it, çfarë tha ai?
Komediani i njohur turk, Deniz Göktaş, është arrestuar në Stamboll nën akuzat për nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë, si edhe për fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan, pas një shfaqjeje stand-up të publikuar në YouTube.
Sipas autoriteteve turke, Göktaş u ndalua në aeroportin e Stambollit, teksa po kthehej nga pushimet, dhe më pas u dërgua në paraburgim pas marrjes në pyetje nga prokurorët.
Hetimet lidhen me një performancë të publikuar më 24 qershor në YouTube, e cila ka grumbulluar miliona shikime. Në shfaqje përfshihen referenca ndaj presidentit Erdogan, si edhe ndaj teksteve fetare.
Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit bëri të ditur se ndaj përmbajtjes së videos janë paraqitur dhjetëra ankesa nga qytetarë. Ndërkohë, institucionet fetare në vend e kanë dënuar publikisht shfaqjen, duke e cilësuar të papranueshme talljen me vlerat fetare.
Në dëshminë e tij, Göktaş ka mohuar se ka pasur qëllim të ofendojë apo të nxisë urrejtje. Ai është shprehur se materiali i tij është pjesë e humorit satirik dhe se segmente të performancës janë përdorur prej vitesh në skenat e komedisë në Turqi.
Arrestimi i komedianit ka shkaktuar reagime të forta në vend. Mbështetës të tij janë mbledhur jashtë gjykatës në Stamboll në shenjë proteste, ndërsa pamjet e Göktaş të prangosur janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Rasti vjen në një periudhë kur në Turqi është raportuar një shtim i masave ndaj kritikëve të qeverisë, përfshirë gazetarë, aktivistë dhe figura publike, duke nxitur debate mbi lirinë e shprehjes në vend.