34 ditë protestë/ Qytetarja: Nesër të gjithë në shesh kundër Ramës, Policia e Shtetit të distancohet
Në ditën e 34-t të protestës kombëtare ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, protestuesja bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në tubimin e nesërm, të cilin e cilësoi si një moment vendimtar të kësaj proteste qytetare.
Ajo u shpreh se prej më shumë se një muaji qytetarët kanë protestuar në mënyrë paqësore, duke kërkuar ndryshim dhe mbrojtje të të drejtave themelore, ndërsa theksoi se protesta e nesërme synon të jetë një mobilizim masiv mbarëkombëtar.
Sidorela Vatnikaj u shpreh se qytetarët si brenda vendit ashtu edhe nga diaspora, duhet t’i bashkohen këtij tubimi për të treguar unitet dhe vendosmëri përballë një qeverisje të korruptuar.
Ajo nënvizoi se protesta do të vijojë të mbetet paqësore dhe se forca e tyre qëndron te pjesëmarrja qytetare dhe qëndrimi i palëkundur përballë, siç u shpreh, padrejtësive të denoncuara gjatë kësaj periudhe.
Pjesë nga deklarata:
Deklaratë kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve ditën e djeshme. Protesta është një e drejtë themelore kushtetuese dhe një nga mjetet më të rëndësishme të qytetarëve për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti. Çdo përpjekje për ta frikësuar, penguar apo shtypur këtë të drejtë përmes përdorimit të forcës përbën një cenim të demokracisë dhe lirive themelore.
Dënojmë fuqimisht përdorimin e forcës joproporcionale nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve gjatë protestës së djeshme, si përdorimi i gazit lotsjellës pa paralajmërim, shtyrja apo goditja e protestuesve, si dhe ushtrimi i dhunës ndaj personave të neutralizuar, të cilat janë veprime të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet e një shteti demokratik.
Monitorimi i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka evidentuar shqetësime serioze mbi mënyrën se si është administruar protesta, duke shprehur dyshime të forta për tejkalim kompetencash nga ana e Policisë së Shtetit dhe përdorim të forcës në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Po ashtu, argumentohet qartë se veprimet e një numri të kufizuar individësh nuk mund të përdoren si justifikim për ushtrimin e dhunës ndaj mijëra qytetarëve që protestuan në mënyrë paqësore.
I kërkojmë Policisë së Shtetit të japë shpjegime publike për përdorimin e forcës gjatë protestës së djeshme dhe të mundësojë një hetim të pavarur, transparent dhe efektiv për çdo rast të dyshuar të tejkalimit të kompetencave. Çdo punonjës policie që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët duhet të mbajë përgjegjësi.
Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument politik për të trembur, intimiduar apo ndëshkuar qytetarët që protestojnë paqësisht.
Fatkeqësisht, dhuna e ushtruar në zvarritjen ndaj protestuesve nuk ishte një rast i izoluar. Ajo u përsërit edhe dje, kur një grup protestuesish që kanë më shumë se një muaj që protestojnë paqësisht u përballën me përdorim joproporcional të dhunës nga Policia e Shtetit.
Kjo qasje represive nuk dëmton vetëm protestuesit, por cenon të drejtën themelore për të protestuar paqësisht.
Njëkohësisht, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar për ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore. Ndalimet arbitrare, masat penale, si dhe dhuna e ushtruar nga efektivë civilë nuk mund të përdoren si instrument frikësimi.
Kërkojmë lirimin e çunave! Lironi çunat! Lironi çunat! Lironi çunat!
Po ashtu, shprehim shqetësim për informacionet mbi kontrollet e pajustifikueshme që janë kryer dhe po kryhen në pikat doganore për të gjithë bashkëqytetarët tanë që janë nisur për të protestuar këtu ditën e djeshme.
Ndalni dhunën dhe represionin policor!
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që në protestën e ditës së nesërme të distancohet qartë nga çdo akt dhune, nga çdo tolerim i personave të infiltruar dhe nga çdo veprim që synon provokim apo përshkallëzim. Detyra e policisë është të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e protestës, jo të nxisë tensione apo të përdorë forcën për të penguar protestën.
Së fundi, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që do t’i bashkohen protestës së nesërme, ta mbrojnë karakterin paqësor të kësaj proteste. Për më shumë se 35 ditë, kjo lëvizje qytetare ka protestuar në mënyrë paqësore.
Qytetarë, çdo akt dhune, pavarësisht se nga kush provokohet, qoftë nga individë apo provokatorë, do t’i shërbente vetëm atyre që duan të mbajnë të paprekur sistemin kriminal ndaj të cilit protestojnë.
Ndaj ftojmë të gjithë qytetarët, pa dallim, t’i bashkohen protestës së nesërme në një mobilizim masiv, mbarëkombëtar dhe paqësor. Forca jonë buron nga pjesëmarrja qytetare, nga uniteti dhe vendosmëria për të mbrojtur demokracinë. Dhe në sajë të këtij besimi themi: duam një Shqipëri të re, dhe njëkohësisht, lironi shokët tanë! Lironi shokët tanë! Lironi shokët tanë!