Finlanda do të blejë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore nga Suedia
Ministria e Mbrojtjes e Finlandës ka bërë të ditur se vendi planifikon të porosisë sisteme tokësore të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi nga Suedia.
“Ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, ka autorizuar Forcat e Mbrojtjes së Finlandës të blejnë sisteme tokësore të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër RBS 70 NG nga kompania suedeze Saab. Ky prokurim do të forcojë mbulimin territorial të mbrojtjes ajrore tokësore në të gjithë Finlandën”, njoftoi ministria finlandeze.
Ministria thekson se sistemi RBS 70 NG është një version i avancuar i sistemit të lëvizshëm raketor tokë-ajër të Forcave të Mbrojtjes së Finlandës, duke shtuar se sistemi i ri do të rrisë aftësitë e vendit për t’u përballur si me mjetet ajrore pa pilot, ashtu edhe me ato me pilot.
“Ne po zhvillojmë sistemin e mbrojtjes ajrore të Finlandës kundër një game të plotë kërcënimesh. Ruajtja e gatishmërisë sonë kërkon sisteme të përshtatshme dhe moderne për çdo lloj kërcënimi. Ky prokurim është vetëm një komponent i një pakete më të gjerë”, tha Hakkanen.
Sipas ministrisw, prokurimi përfshin municione, pajisje trajnimi dhe një sistem mirëmbajtjeje.
Po ashtu theksohet se vlera e përgjithshme e këtij prokurimi arrin në 108 milionë euro.
Sistemi pritet të jetë plotësisht operacional deri në fund të viteve 2020.