VIDEO/ Bushati: Protestat dhe ‘The Albanian Files’ kanë ‘vrarë’ piktorin kryeministër, kanë shfaqur Ramën si noter i krimit
Gazetari Andi Bushati, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, komentoi protestat kundër kryeministrit Edi Rama, reagimin e qeverisë dhe librin ‘The Albanian Files’, duke deklaruar se propaganda e pushtetit ndodhet në krizë dhe se narrativa ndërkombëtare për Ramën ka ndryshuar rrënjësisht.
Bushati u shpreh se mungesa e një qëndrimi të qartë nga ana e qeverisë tregon se pushteti është zënë i papërgatitur nga protesta. Sipas tij, për herë të parë qeveria nuk ka më në dispozicion klishetë e zakonshme propagandistike për të delegjitimuar protestën.
Bushati shtoi se protestuesit nuk ndikohen më nga mediat tradicionale, por nga rrjetet sociale dhe figura të njohura të tyre.
Duke komentuar librin ‘The Albanian Files’, Bushati tha se ai ishte konceptuar për të ndërtuar imazhin e Ramës si një lider vizionar, por sipas tij zhvillimet e fundit kanë ndryshuar mënyrën se si lexohet kjo vepër.
Sipas Bushatit, ndryshimi më i madh është mënyra se si mediat ndërkombëtare e trajtojnë sot figurën e kryeministrit shqiptar, që tani e shohin si noter të krimit, e jo më si piktorin kryeministër.
‘Fakti që edhe Rama dhe pushteti nuk po tregon vijë të qartë, tregon dy gjëra.
E para që kjo çështja e negocimit, ata nuk e kanë realisht. Çfarë do të negociojë Rama? Imagjinoni ju që Rama mund të negociojë me dikë ikjen e tij nga karrigia? Është pothuajse e pamundur.
Por ana tjetër e medaljes është që kjo është lëvizja e parë që i kap të papërgatitur. I kap të papërgatitur se nuk kanë më asnjë nga klishetë e vjetra që kishin vënë në përdorim.
Pra, 'A, opozita e Berishës na i bën këto', 'A, ju shkoni prapa Berishës' e të tjerë, e të tjerë.
Në këtë kuptim, duket që propaganda ka një ngërç dhe edhe vetë Rama dhe të tijtë e shohin që çdo gjë që thonë, çdo tentativë manipuluese që bëjnë nuk iu ngjit.
Faktikisht, fatkeqësisht për ta, në rrugë nuk janë më njerëzit që dëgjojnë Klanin dhe Top Channel-in. Janë njerëzit që ndjekin në Instagram Dea Mishelin. Dhe në këtë kuptim, gjithë makineria e propagandës, bashkë me argumentat e saj, i është zeruar.
Dhe kjo është gjëja që i ka hutuar dhe e ka bërë Ramën dhe propagandën e tij herë testojë një gjë, pa sukses, pastaj provojë një gjë tjetër, prapë iu del pa sukses. Dhe kjo i ka çorientuar gjithmonë e më shumë.
Libri varet si e shikon. Pra, kjo është e vlefshme për letërsinë, për filozofinë, për çdo lloj libri. Pra, secili e përjeton librin e vet.
Të njëjtat faqe përjetohen në mënyra të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Edhe libri ka njerëz që, dhe me këtë qëllim është bërë libri, me sponsorizimin e Edi Ramës, për të thënë që 'ky gjeni i ndritur ka fatin Shqipëria ta ketë, që i vijnë të gjithë arkitektët e botës dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të'.
Por në dritën e fakteve të reja, kur ne po mësojmë se si po ndërtohen resortet turistike me paratë e drogës, si po ndërtohen kullat e Tiranës me paratë e drogës, edhe libri, ftesa e Shqipërisë, shihet nga kjo drita tjetër. Pra, si fasada e cila do të fshehë një biznes kriminal që qëndron në thelbin e ekonomisë së këtij vendi.
Dhe faktikisht, faktikisht këto janë gjëra që ne i kemi ditur, por faktikisht për këtë pushtet, sot këtë gjë po e thonë në kor dhe është bërë refreni i përgjithshëm i mediave më të mëdha perëndimore.
Pra, sot në mediat perëndimore është vrarë apo është fshirë përfundimisht ajo klisheja e politikanit piktor, e kryeministrit artist që do t'i ndryshojë faqen vendit të tij. Dhe shumë po thonë, 'Njerëzit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, pse? Se Rama është i lidhur me krimin, se ka ngritur një ekonomi të bazuar te paratë e drogës që i shërben atij për të ndenjur pafundësisht në pushtet'.
Dhe në këtë kuptim, jo më për shqiptarët që e kanë mësuar, por edhe për mediat ndërkombëtare unë them që është vrarë piktori dhe tani po na shfaqet klisheja e noterit të krimit.’, u shpreh Andi Bushati në SYRI TV.