Shqiptari me '1 orë arrest shtëpie' përfundon në qeli

Eshtë futur në qeli Genti Berisha, i riu shqiptar I akuzuar për shkaktimin e aksidentit rrugor të ndodhur mbrëmjen e 22 qershorit ku humbi jetën një efektiv i policisë italiane.

“Arresti në shtëpi’ me byzylyk elektronik ka zgjatur vetëm një orë, informon ANSA.

 Në mëngjes, i riu ishte liruar nga burgu pas vendosjes së byzylykut elektronik, në zbatim të vendimit të gjyqtares hetuese të Milanos, Giulia Masci.

Por sapo ka mbërritur në banesë, hetuesit e Policisë Bashkiake dhe të Skuadrës së Lëvizshme të Monzës e kanë rikthyer sërish në qeli, pas ashpërsimit të masës së sigurisë të vendosur nga gjykata hetuese e Breshias, ku ai po gjykohet edhe për trafik droge.

Në aksidentin e ndodhur më 22 qershor në Peschiera Borromeo, në zonën e Milanos, humbi jetën efektivi i Policisë Bashkiake Francesco Imprezzabile.