Serbia arreston në kufi një shtetas të Kosovës, dyshime për krime lufte

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar të Mutivodës që lidh Kosovën me Serbinë nën dyshime për krime lufte.

Ndaj O.S., i lindur më 1953, është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Beograd, thanë autoritetet serbe.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, u tha në njoftimin e MPB-së serbe.

Në njoftimin e MPB-së serbe nuk u tha saktë nëse i dyshuari ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Familjarët e Osman Selmanit, konfirmuan se ai u arrestua në Mutivodë më 1 korrik teksa po kthehej nga vendlindja e tij.

Familja tha se i vlerësojnë akuzat e autoriteteve serbe si “të pabazuara dhe të pavërteta”.

“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah”, u tha në reagimin e familjarëve të të arrestuarit të publikuar në Facebook.

Viteve të fundit, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.