E rëndë në Vlorë, 29-vjeçarja mbytet në plazhin e Porto Novos, ja detajet e para

Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në bregdetin e Vlorës.

Një 29-vjeçare, e identifikuar si Afërdita Xhilaj, ka humbur jetën pasi dyshohet se është mbytur në det në zonën e plazhit të Porto Novos.

Sipas informacioneve paraprake, e reja është përballur me rrymat e forta detare që karakterizojnë këtë zonë, e konsideruar prej vitesh si një nga pikat më të rrezikshme të bregdetit të Vlorës.

Pas nxjerrjes nga uji, trupi i pajetë është transportuar me gomone drejt Triportit dhe më pas do të dërgohet në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës.

Ndërkohë, Policia e Vlorës ka nisur veprimet hetimore dhe po merr në pyetje banorë e pushues që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes. Autoritetet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të kësaj tragjedie.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:30, në plazhin e Portonovës, në Zvërnec, dyshohet se është mbytur në det shtetasja A. Xh., 29 vjeçe, banuese në Shkodër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.