Harry Kane pas dopjetës me Kongon: Momente heroike, por tani fokusi i Anglisë është te Meksika

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka vlerësuar karakterin e skuadrës pas fitores 2-1 ndaj Kongos në Kupën e Botës, ku ai ishte protagonist me dy gola vendimtarë.

Sulmuesi theksoi se në ndeshjet me eliminim direkt më e rëndësishmja është kualifikimi, pavarësisht vështirësive gjatë lojës.

“Këto janë momente heroike. Mund të jetë kushdo vendimtar, qoftë portieri me një pritje, një mbrojtës me një ndërhyrje apo një sulmues me një gol. Ishte një prej atyre ditëve për mua,” tha Kane për BBC.

Ai shtoi se goli i barazimit i dha skuadrës besim, ndërsa i dyti solli një shpërthim emocionesh pas një ndeshjeje të gjatë e të vështirë.

“Goli i parë na mbajti në lojë, ndërsa i dyti ishte një shpërthim emocionesh pas 80 minutave frustrimi. Në ndeshje të tilla duhet shumë durim,” u shpreh ai.

Sipas Kane, kjo ishte një nga paraqitjet më të mira sulmuese të Anglisë në turne, edhe pse ende ka hapësira për përmirësim. “Nga ana sulmuese ndoshta ishte ndeshja jonë më e mirë në turne, por rëndësi ka vetëm të kalosh tutje,” theksoi kapiteni.

Ai zbuloi gjithashtu se trajneri Tuchel kishte paralajmëruar skuadrën për vështirësitë e fazës me eliminim direkt, duke kërkuar maksimalisht përqendrim në çdo detaj.

“U thashë djemve ta shijojnë këtë moment. Jemi në Kupën e Botës dhe po luftojmë për çdo detaj. Zëvendësimet po na japin energji dhe kjo tregon forcën e grupit,” përfundoi Kane, duke shtuar se skuadra tashmë duhet të fokusohet te ndeshja e radhës me Meksikën.