SYRI TV/ Mesazhi për diktatorin i Veliajt, librat e kryebashkiakut tërheqin vëmendjen në gjykatë
Me mesazh për diktatorin, kryebashkiaku Erion Veliaj ngjiti sërish shkallët e Gjykatës Administrative për gjyqin e iniciuar prej tij kundër prokurorit që e arrestoi, Ols Dado. Kjo nuk është hera e parë që Veliaj çon mesazhe politike, ku në media shpesh është aluduar se ato shkojnë drejtpërdrejt për kryeministrin Edi Rama, teksa më herët është parë me librat “Apostulli”, “Mos digjni askënd në turrën e druve sot” apo “Mjellma e Zezë”. Veliaj foli me gazetarët edhe për ardhjen në jetë të djalit të dytë dhe domethënien e emrit, teksa seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të tij.
Me mesazh për diktatorin, përmes një libri që mbante në duar, Erion Veliaj u paraqit këtë të enjte në Gjykatën Administrative për procesin e iniciuar prej tij kundër prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado.
Veliaj u pyet nga gazetarët në sallën e gjyqit se çfarë libri po lexonte, teksa tregoi romanin me titull “Zoti President” të Miguel Ángel Asturias, që konsiderohet një nga veprat themeluese të letërsisë latino-amerikane dhe të zhanrit të “romanit të diktatorit”. Romani zhvillohet në një vend pa emër të Amerikës Latine, i sunduar nga një president despotik. Edhe pse presidenti shfaqet rrallë, frika dhe pushteti i tij ndikojnë në jetën e çdo personazhi. Pas vrasjes së kolonelit Parrales Sonriente, presidenti manipulon hetimet për të eliminuar kundërshtarët politikë. Por kjo nuk është hera e parë që Veliaj jep mesazhe në dyert e gjykatës, ku mbulon prangat me libra.
“Mos digjni askënd në turrën e druve sot”, nga Naomi Alderman, ishte libri që mbante në dorë në seancat e majit dhe qershorit 2026. Bëhet fjalë për një libër eseistik që trajton krizën e informacionit në epokën digjitale, duke e krahasuar atë me gjuetinë e shtrigave.
“Fan Noli, Apostulli” (Vëllimi I), nga Ilir Ikonomi, ishte një tjetër libër në duart e Erion Veliajt gjatë paraqitjes në seancën e 3 prillit 2026. Më herët, pas arrestimit, në media u raportua se ish-drejtori i tij juridik, Alban Dokushi, i kishte dërguar Veliajt librin me titull “Mjellma e Zezë”, të Nassim Nicholas Taleb, që trajton idenë se jeta dhe historia jonë formësohen nga ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat janë të vështira për t'u parashikuar, por që sjellin ndikime masive. Përzgjedhja e këtij libri nga Veliaj u komentua gjerësisht në media si një reflektim mbi situatën e tij të papritur ligjore apo edhe si një mesazh i koduar politik për ngjarjet e papritura që tronditën pushtetin e tij.
Teksa pyetej nga gazetarët për ardhjen në jetë të djalit të dytë të Erion Veliajt, ky i fundit tha se ia ngjitën emrin Leon, si një përafrim me emrin e babait të tij të ndjerë, Luanit, teksa shtoi se fillimisht ishte menduar emri Leo, por u kundërshtua nga djali tjetër, pasi ishte shumë i përdorur në shkollë. Seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit të kryebashkiakut, Plarent Ndreca. Ky i fundit kishte vënë në dijeni gjykatën se nuk mund të paraqitej, pasi kishte shtruar në spital djalin e tij. Seanca e radhës u caktua për më 24 korrik, në orën 09:00, dhe, i pyetur nga gjykata nëse ishte dakord me datën, Veliaj tha: "Pa punë jam, nëse deri atëherë nuk jam liruar nga qelia."
Veliaj ndodhet prapa hekurave prej 10 shkurtit 2025, me 13 akuza. SPAK-u thotë se ai, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, kishin krijuar një skemë të mirëorganizuar, ku merreshin para nga biznesmenë të ndryshëm në këmbim të lejeve të ndërtimit. Veliaj kallëzoi në Gjykatën Administrative prokurorin që e arrestoi, Ols Dadon, me argumentin se emërimi i tij si magjistrat është i pamerituar dhe i paligjshëm.