Amendamenti i Kongresmenit Wilson/ Spahia: Uashingtoni po heton lidhjet e qeverisë Rama me trafikun e drogës

Amendamenti i propozuar nga Kongresmeni Amerikan Joe Wilson, që kërkon hetimin e lidhjeve të qeverisë Rama me trafikun ndërkombëtar të drogës, është prova më e fortë se çështja e narkoshtetit shqiptar ka mbërritur në vëmendjen e Uashingtonit.

Kështu shkruan në një reagim të tij në rrjetet sociale deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i cili tha se kjo nismë konfirmon denoncimet e opozitës për kapjen e shtetit nga krimi i organizuar.

Sipas tij, paratë e drogës janë përdorur për të deformuar zgjedhjet, ndërsa kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Postimi i plotë:

Amendamenti i propozuar së fundmi nga Kongresmeni Amerikan Joe Wilson, i cili kërkon zyrtarisht hetimin e thellë të lidhjeve të qeverisë Rama me trafikun ndërkombëtar të drogës, është demaskimi përfundimtar i këtij narko-shteti. Kjo nismë jetike nga Uashingtoni synon të zbardhë me fakte atë që shqiptarët e vuajnë në kurriz çdo ditë. Kapjen e plotë të institucioneve nga krimi i organizuar.

​Kjo nismë jetike i jep plotësisht të drejtë atij mali me fakte dhe denoncime të ashpra që opozita ka ngritur pa u ndalur ndër vite.

Paratë e gjakut dhe të drogës nuk janë vetëm pasurim i paligjshëm, por edhe mjeti kryesor që Edi Rama përdor për të vjedhur, shantazhuar dhe blerë zgjedhjet.

Janë këto para të narkoshtetit që i kanë vjedhur shqiptarëve të drejtën e votës duke mbajtur peng vullnetin e tyre të lirë.

​Kjo strukturë parazitare kriminale duhet të marrë fund menjëherë. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani!

Shqipëria, siç tregon edhe reagimi masiv qytetar për 34 ditë, ka nevojë egzistenciale dhe emergjente për një qeveri tranzitore, të pakapur nga bandat, e cila do të pastrojë terrenin dhe do të përgatisë vendin për të vetmen rrugëzgjidhje demokratike: zgjedhje të lira dhe të ndershme!

​Muret e këtij regjimi kriminal po dridhen, sepse përballë partnerëve ndërkombëtarë nuk vlejnë më as organizatat kriminale, as fasadat 3D dhe as patronazhistët. Koha e atyre që e zhvatën këtë vend po skadon. E ardhmja i përket qytetarëve dhe patriotëve të ndershëm dhe të lirë që refuzojnë të nënshtrohen.

Shqipëria do të çlirohet dhe koha për një shtet të pastër po vjen!