Alarm para Francë–Paraguaj, vala ekstreme e të nxehtit mund të rrezikojë jetën e lojtarëve dhe tifozëve
Ndeshja e fazës së 1/16-ave të Botërorit 2026 mes Francës dhe Paraguait, që do të zhvillohet në Filadelfia, pritet të luhet në kushte të jashtëzakonshme atmosferike. Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë lindjen dhe qendrën e Shteteve të Bashkuara ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e lojtarëve, arbitrave dhe mijëra tifozëve në stadium.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka paralajmëruar se indeksi i nxehtësisë mund të arrijë nga 38 deri në 46 gradë Celsius, ndërsa temperaturat e larta do të vazhdojnë edhe gjatë natës, pa u ofruar lehtësim banorëve dhe vizitorëve.
Franca ka përjetuar tashmë vështirësi për shkak të vapës në ndeshjen ndaj Suedisë, ku futbollistët u freskuan me spërkatës uji në fushë për të përballuar temperaturat, të cilat arritën rreth 32 gradë Celsius. Megjithatë, meteorologët paralajmërojnë se kushtet për sfidën me Paraguajin mund të jenë edhe më të rënda.
Shkencëtarët dhe specialistët e mjekësisë sportive kanë kritikuar protokollet aktuale të FIFA-s për ndeshjet në temperatura të larta, duke i konsideruar ato të pamjaftueshme. Sipas tyre, edhe sportistët e mësuar me klimën e nxehtë mund të arrijnë shpejt kufijtë fizikë të organizmit.
Ekspertët paralajmërojnë se aktiviteti intensiv në temperatura ekstreme mund të shkaktojë marramendje, ngërçe të forta muskulore, dehidrim të rëndë dhe, në rastet më serioze, goditje nga të nxehtit, një gjendje që mund të jetë fatale nëse nuk trajtohet menjëherë.
Edhe pushimet treminutëshe për hidratim, të parashikuara nga FIFA gjatë ndeshjeve, konsiderohen të pamjaftueshme nga shumë specialistë, të cilët kërkojnë ndërprerje më të gjata nëse temperaturat vazhdojnë të rriten.
Debati është shtuar edhe për pragun e temperaturës mbi të cilin FIFA mund të vendosë shtyrjen e një ndeshjeje. Sipas kritikëve, ky kufi është shumë i lartë dhe tejkalon parametrat që përdoren nga ushtria amerikane për të mbrojtur ushtarët gjatë stërvitjeve në kushte të nxehta.
Rreziku nuk kufizohet vetëm te futbollistët. Mijëra tifozë që do të ndjekin ndeshjen në stadiumet e hapura, të ekspozuar për orë të tëra në diell dhe temperatura të larta, mund të përballen gjithashtu me probleme serioze shëndetësore. Për këtë arsye, autoritetet lokale kanë shtuar zonat me hije, pikat e ftohjes dhe ekipet mjekësore, megjithëse ekspertët paralajmërojnë se këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme nëse vala e të nxehtit arrin kulmin gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Përballja mes Francës dhe Paraguajit pritet të jetë një nga sfidat më të forta të fazës me eliminim direkt, por ekziston frika se mund të mbahet mend jo vetëm për futbollin e luajtur, por edhe për kushtet ekstreme atmosferike në të cilat do të zhvillohet.