‘Lolot e Ramës’/ Malltezi: SPAK mbylli procedimin për Ilir Rusin që falsifikoi përgjigjen e Irena Gjokës
Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka reaguar pasi SPAK vendosi mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e bërë ndaj Ilir Rusit.
Në një postim në Facebook, Malltezi publikoi njoftimin e SPAK dhe e cilësoi vendimin si të papranueshëm dhe përsëriti pretendimin e tij se Rusi ka manipuluar procesverbalin e marrjes në pyetje të gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka.
Në njoftimin e SPAK, me vendimin e firmosur nga drejtuesi Klodian Braho, është vendosur të mos nisë procedim penal lidhur me këtë material kallëzues.
‘Palaço që luajnë ballo me maska. Mosfillim procedimi edhe për lepe-peqe Ilir Rusin që falsifikoi me dashje përgjigjet për Irena Gjokën. Ka ende ca gomerë që presin nga lolot e Edi Ramës’, shkruan Malltezi në Facebook.