Zyrtare/ Julian Nagelsmann largohet nga drejtimi i Gjermanisë, a do të pranojë Klopp detyrën e vështirë?
Julian Nagelsmann ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Gjermanisë, duke i dhënë fund një periudhe të shkurtër, por intensive, në krye të katër herë kampionëve të botës. Vendimi erdhi vetëm pak ditë pas eliminimit zhgënjyes nga Paraguaji në serinë e penalltive, rezultat që i dha fund rrugëtimit të gjermanëve në Botërorin 2026.
Menjëherë pas humbjes, Nagelsmann kishte deklaruar se nuk ishte “nga ata që largohen në momentet e vështira”. Megjithatë, presioni i brendshëm dhe atmosfera në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve.
Të enjten, gjatë një takimi që zgjati pothuajse tri orë në Frankfurt, drejtuesit e federatës dëgjuan analizën e trajnerit për dështimin në Botëror, por nuk mbetën të bindur nga shpjegimet e tij. Sipas raportimeve, gjatë këtij takimi iu sugjerua se një largim me vullnetin e tij do të ishte zgjidhja më e mirë, propozim që Nagelsmann e pranoi.
Në një letër publike, 38-vjeçari shprehu keqardhjen për vendimin e marrë.
“Kam reflektuar shumë që nga eliminimi ynë dhe jam këshilluar me njerëz të cilëve u besoj. Prioriteti im ka qenë gjithmonë suksesi i ekipit. Pas një zhgënjimi kaq të madh, kombëtarja meriton mundësinë për një fillim të ri”, shkroi ai.
Nagelsmann falënderoi gjithashtu futbollistët, stafin teknik dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.
“Ata na mbështetën, besuan tek ne dhe na dhanë energji edhe në momentet më të vështira. Më dhemb sinqerisht që i zhgënjyem dhe që nuk arritëm t'u dhuronim më shumë net të paharrueshme futbolli në këtë Botëror”, përfundoi ish-trajneri i Gjermanisë.
Emri i cili pritet të pasojë Nagelsmann-in është Jurgen Klopp. Zyrtarizimi i ish-trajnerit të Liverpool-it pritet të ndodhë në ditët në vazhdim.