Rama përzuri shqiptarët/ S’ka më lindje - Më pak foshnja, më pak konsum

Rënia e lindjeve në Shqipëri po fillon të ndihet edhe në tregun e produkteve për foshnje.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2024 numri i foshnjave të ushqyera me formulë artificiale zbriti në 3,459, niveli më i ulët i regjistruar në gjashtë vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, në rënie ishte edhe numri i foshnjave që ushqehen vetëm me gji, i cili arriti në 15,068, nga 15,979 një vit më parë dhe mbi 19 mijë në vitin 2021.

Shifrat sugjerojnë se ndryshimi nuk lidhet me një zhvendosje të prindërve nga një mënyrë ushqyerjeje te tjetra, por me tkurrjen e vetë numrit të lindjeve në vend. Me më pak foshnja që vijnë në jetë çdo vit, zvogëlohet automatikisht edhe baza e konsumatorëve për formulat e qumështit, pelenat, shishet, biberonët, ushqimet e specializuara dhe një sërë produktesh të tjera të nevojshme gjatë vitit të parë të jetës.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lindjeve në vend ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Në vitin 2024 u regjistruan rreth 22 mijë lindje, nga mbi 28 mijë në vitin 2019, duke shënuar një tkurrje prej afro 22% brenda pesë viteve. Rënia e lindjeve është bërë tashmë një nga sfidat kryesore demografike të vendit, me ndikim jo vetëm në strukturën e popullsisë, por edhe në sektorë të tërë të ekonomisë që varen nga konsumatorët më të vegjël.

Në aspektin ekonomik, formulat e qumështit përbëjnë një nga zërat më të kushtueshëm të shpenzimeve për familjet me foshnja. Në tregun shqiptar, një kuti me formulë për të porsalindurit (0–6 muaj) kushton mesatarisht 18–30 euro, në varësi të markës dhe gramaturës. Për formulat e fazës së dytë (6–12 muaj) dhe të tretë (mbi 12 muaj), çmimet luhaten zakonisht nga 15 deri në 28 euro për kuti.

Një foshnjë e ushqyer ekskluzivisht me formulë mund të konsumojë 6–8 kuti në muaj gjatë muajve të parë, çka e çon faturën mujore në rreth 120–220 euro vetëm për qumështin. Në disa raste, sidomos kur përdoren formula speciale për alergji apo intoleranca, shpenzimi mund të jetë edhe më i lartë.

Pikërisht për shkak të kësaj vlere ekonomike, rënia e numrit të foshnjave ushqyer me formulë përkthehet edhe në një tkurrje të kërkesës për këtë kategori produktesh. Kjo prek jo vetëm farmacitë, ku realizohet një pjesë e madhe e shitjeve, por edhe distributorët, importuesit, supermarketet dhe kompanitë që operojnë në segmentin e kujdesit për foshnjat. Ndryshe nga vitet kur rritja e shitjeve mbështetej edhe te numri i lindjeve, tashmë bizneset po përballen me një treg gjithnjë e më të vogël, ku zgjerimi varet kryesisht nga fitimi i pjesës së tregut ndaj konkurrentëve ose nga ofrimi i produkteve me vlerë të shtuar./ Monitor.