BE vendos ndalimin total të 'Russia Today' në Evropë / Gjykata e BE-së e cilëson si propagandë
Gjykata Europiane e Drejtësisë ka vendosur që të ndalohet plotësisht shpërndarja e përmbajtjeve të “Russia Today” në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në çdo formë dhe kanal publikimi.
Vendimi i marrë më 2 korrik përcakton se ndalimi vlen si për platformat mediatike, ashtu edhe për faqet e internetit dhe rrjetet sociale, pavarësisht nëse përmbajtja shpërndahet me qëllim fitimi apo jo.
Sipas gjykatës, ndalimi është i justifikuar me arsyetimin se “Russia Today” konsiderohet pjesë e aparatit të propagandës së Federatës Ruse, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Kjo do të thotë se çdo publikim, rishpërndarje apo transmetim i materialeve të këtij mediumi në BE bie nën kufizimet ligjore të vendosura nga vendimi.
Rasti është mbështetur edhe nga praktika ligjore në disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, ku janë regjistruar ndjekje penale ndaj individëve që kanë publikuar përmbajtje të “Russia Today Germany” në internet.
Gjykata argumenton se masa të tilla janë të nevojshme për mbrojtjen e rendit publik dhe sigurisë së Bashkimit Europian, si dhe për të kufizuar përhapjen e informacionit që konsiderohet propagandistik në kohë lufte.