Imuniteti i Ballukut, a do bëhet kërkesa e dytë për arrestim? Ja si përgjigjet kreu i SPAK
Kreu i SPAK, Klodian Braho, nuk përjashtoi mundësinë e një kërkese të re për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por theksoi se çdo vendimmarrje do të mbështetet ekskluzivisht në ligj dhe në provat që do të dalin nga hetimet.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Braho u pyet nga deputeti Oerd Bylykbashi nëse SPAK do t'i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të Ballukut.
"Nuk do të kishte çështje nëse nuk do të kishte shkelje të ligjit. Qëndrimi i Prokurorisë është i qartë dhe po aq e qartë është edhe mënyra se si hetimet kanë vijuar edhe pas refuzimit të kërkesës së mëparshme. Faktet tregojnë se Prokuroria ka bërë punën e saj," deklaroi Braho.
Ai shtoi se çështja mbetet në fazën e hetimit dhe se nuk mund të paragjykojë vendimin përfundimtar.
"Nuk mund të them sot nëse do të ketë apo jo një kërkesë tjetër. Ajo që mund të garantoj është se çdo vendim do të merret në përputhje me ligjin, mbi bazën e provave që do të sigurohen gjatë hetimit, duke marrë në konsideratë edhe arsyetimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së mëparshme," u shpreh kreu i SPAK.