Harry Kane, makinë golash: i vetëm këtë vit ka shënuar më shumë se çdo skuadër e Serisë A përveç....

Harry Kane vazhdon të rishkruajë statistikat e futbollit evropian. Sulmuesi anglez, i cili aktivizohet te Bayerni i Mynihut dhe kombëtaren e Anglisë, ka arritur tashmë në 72 gola këtë sezon mes klubit dhe përfaqësueses, një shifër mbresëlënëse që merr edhe më shumë peshë kur krahasohet me kampionatin italian.

Nëse golat e tij do të krahasoheshin me totalin e skuadrave të Serisë A, vetëm Interi do të kishte bërë më mirë. Kampionët e Italisë e mbyllën sezonin me 89 gola, ndërsa të gjitha skuadrat e tjera të kampionatit kanë shënuar më pak se Kane i vetëm.

Nga Como me 65 gola, te Juventusi me 61, Roma dhe Napoli me 59 dhe 58, e deri te Milani me 53 dhe Atalanta me 51, asnjë ekip tjetër nuk e ka kaluar kuotën e sulmuesit anglez.

Në total, Kane ka realizuar 61 gola me Bayernin në të gjitha kompeticionet (36 prej tyre vetëm në Bundesliga) dhe 11 gola me kombëtaren e Anglisë, prej të cilëve 5 janë shënuar në këtë Botëror.

Sulmuesi i lindur në vitin 1993 po konfirmohet si një nga golashënuesit më të fortë në futbollin ndërkombëtar. Pas më shumë se 280 golave me Tottenhamin dhe vazhdimit të formës së tij në Gjermani, ai po zhvillon një tjetër sezon të jashtëzakonshëm dhe synon të udhëheqë “Tre Luanët” drejt trofeut botëror.

Këto shifra të jashtëzakonshme jo vetëm që tregojnë efikasitetin e tij përpara portës, por edhe nxisin debatin mbi vendin e tij në historinë e futbollit anglez.