Divjakë/ Zbulohen 1,426 bimë narkotike dhe 44 kg në tharje, procedohen 3 punonjës të AZM-së
Një operacion i Policisë së Fierit ka zbuluar një tjetër rast të kultivimit dhe përpunimit të kanabisit në zonën e Divjakës. Gjatë aksionit të koduar “Koordinimi”, u zbulua një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, ndërsa u sekuestruan gjithsej 44 kilogramë kanabis dhe u konstatuan 1,426 bimë narkotike të kultivuara.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, pas kontrolleve intensive në territor, nga toka dhe nga ajri me dronë, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Sipas Policisë, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u zbulua një ambient i improvizuar për tharjen dhe përpunimin e kanabisit. Brenda tij u gjetën 37 kilogramë kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë kanabis në formë boçesh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për ekspertim.
Gjatë kontrolleve në të njëjtën zonë, efektivët konstatuan edhe 1,426 bimë narkotike kanabis të kultivuara. Një pjesë e tyre u asgjësuan në vend, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua si provë materiale.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurorinë e Fierit, e cila nisi procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre punonjësve të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Të proceduarit janë Edison Toromëni, 33 vjeç, përgjegjës sektori, Festim Hoxha, 37 vjeç, specialist menaxhimi dhe Gazmor Allka, 53 vjeç, roje.
Ndërkohë, Policia bën me dije se hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier thekson se kontrollet intensive nga toka dhe ajri do të vijojnë, me synim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112 ose pranë strukturave të Policisë.
Njoftimi i policisë
DVP Fier
Vijojnë intensivisht kontrollet në territor dhe në ambiente të mbyllura, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Zbulohet në Divjakë, një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Sekuestrohen 44 kilogramë bimë narkotike kanabis, në formë boçesh/në proces tharjeje.
Gjithashtu, gjatë operacionit, u konstatuan të kultivuara 1426 bimë narkotike kanabis. Një pjesë e tyre u asgjësuan në vend, ndërsa pjesa tjetër u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i kontrolleve intensive në territorin e qarkut Fier, nga toka dhe nga ajri, me dronë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar "Koordinimi".
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Rezervuari i Divjakës”, në një tokë shtetërore, u gjet një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier, shtetasit:
Edison Toromëni 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, Festim Hoxha 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe Gazmor Allka 53 vjeç, me detyrë roje.
Vijon puna, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për identifikimim dhe kapjen e autorit/ëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon kontrollet intensive nga ajri, me dronë, dhe nga toka, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia e Shtetit inkurajon qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në njësitë e Policisë ose në numrin pa pagesë 112.