NBA do të testojë sensorin në top dhe vetëm një gjuajtje të lirë në Summer League
NBA ka njoftuar se gjatë ndeshjeve të Summer League, që zhvillohen në Kaliforni, Salt Lake City dhe Las Vegas, do të testohen dy risi të rëndësishme: rregulli i ri i “vetëm një gjuajtje të lirë” dhe një top basketbolli i pajisur me një sensor të brendshëm.
Këto ndryshime mund të hyjnë në fuqi edhe në sezonin 2026/27, me synimin për të përshpejtuar ritmin e lojës, pa ndryshuar kohëzgjatjen tradicionale të periodave prej 12 minutash (ndryshe nga FIBA, e cila përdor 10 minuta).
Rregulli i ri i gjuajtjeve të lira
Sipas rregullit të ri, çdo faull që zakonisht do të sillte një, dy ose tre gjuajtje të lira, do të zëvendësohet me vetëm një tentativë të vetme. Megjithatë, kjo gjuajtje do të ketë vlerën e plotë të pikëve që do të jepnin gjuajtjet e zakonshme.
Për shembull, nëse një lojtar pëson faull gjatë një gjuajtjeje për tri pikë, ai do të ekzekutojë vetëm një gjuajtje të lirë që vlen tri pikë.
Ky rregull nuk do të aplikohet në dy minutat e fundit të kohës së rregullt dhe as në kohën shtesë.
Ky sistem nuk është krejtësisht i ri, pasi përdoret që nga sezoni 2019/20 në G League, por tashmë po testohet në një nivel më të afërt me NBA-në. Megjithatë, ndryshimi ka shkaktuar debat të madh mes tifozëve dhe ish-lojtarëve.
Topi me sensor dhe teknologjia e re
Paralelisht, NBA do të testojë një top basketbolli të pajisur me sensor të brendshëm, i cili do të regjistrojë kontaktet gjatë lojës.
Qëllimi është të ndihmojë gjyqtarët në vendime të rëndësishme, si përcaktimi i lojtarit të fundit që ka prekur topin para se ai të dalë jashtë vijave të fushës.
Liga ka siguruar se sensori nuk ndikon në peshën, ndjesinë apo mënyrën e lojës së topit, por do të ndihmojë gjithashtu në kursimin e kohës duke shmangur rishikimet e gjata me video nga VAR-i i basketbollit.
Laboratori i ndryshimeve në Summer League
Summer League ka shërbyer historikisht si një “laborator” për rregulla të reja në NBA. Aty u testua, për shembull, rregulli i “transition take foul” në vitin 2022, i cili më pas u bë pjesë e rregullave zyrtare në sezonin 2022/23.
Gjithashtu, sistemi “coach’s challenge” u testua fillimisht në Summer League përpara se të futej në NBA në sezonin 2019/20 dhe më pas të pësonte ndryshime në 2023/24.
Kalendari i Summer League
- California Classic nis të premten në San Francisko dhe Sacramento;
- Salt Lake City Summer League zhvillohet nga e shtuna deri të martën;
- Las Vegas Summer League zhvillohet nga 9 deri më 19 korrik, me pjesëmarrjen e 30 skuadrave të NBA-së;
- Debutimi i AJ Dybantsa, zgjedhja e parë e Draft-it nga Washington Wizards, është planifikuar për 9 korrik kundër Utah Jazz.