Protestat, Luku: Nuk kemi sistem demokratik të drejtë, ja tre kushtet e panegociueshme që duhet të parashtrojmë

Opozita duket se po lë pas veprimet sporadike për të kaluar në një strategji konkrete dhe radikale në mbështetje të protestave qytetare. Së fundmi, janë zbardhur detajet e një plani që synon të vendosë qeverinë përpara një ultimatumi të qartë, përpara se të ndërmerren veprime ekstreme si greva e urisë.

Sipas zhvillimeve të fundit, vetëm pjesëmarrja e deputetëve dhe qytetarëve në protesta nuk mjafton më. Gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv Deputeti i Partisë Agrare Ambientaliste Artan Luku tha se, hapi i radhës është dërgimi i tre propozimeve emergjente në parlament. Kërkesat kryesore përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, si dhe ndryshime të rëndësishme ligjore, duke përfshirë ligjin për zonat e mbrojtura.

Megjithatë gjatë bisedës me Flavio Qarrin ai e vuri theksin te domosdoshmëria e një reforme të thellë zgjedhore. Kodi aktual zgjedhor konsiderohet si një mjet bllokues i dizajnuar në kulisa për interesa të ngushta partiake, i cili pengon lindjen e forcave të reja politike dhe mban peng sistemin demokratik. Pa një kod të ri dhe të drejtë zgjedhor, çdo kërkesë tjetër, përfshirë zgjedhjet e reja, mbetet e parealizueshme.

Një tjetër pikë thelbësore e këtij plani është rikthimi i fuqisë te qytetarët përmes një ligji të ri për referendumet. Duke marrë si shembull modelin zviceran, synohet implementimi i demokracisë direkte përmes iniciativës popullore dhe vetos mbi ligjet.

Në rast se Partia Socialiste refuzon të ulet në tryezë për këto propozime apo i rrëzon ato, opozita paralajmëron përshkallëzim masiv. Masat ekstreme, duke përfshirë grevën e urisë, shihen si një mjet i pashmangshëm për të zhbllokuar sistemin aktual politik dhe për t'i dhënë fund ngërçit që ka kapluar vendin.

Flavio Qarri: Qëndrim të fortë pak a shumë në deklaratë, çfarë do të thotë ajo 'në dispozicion mandatin për këtë kauzë' zoti Luku? Ka qenë kjo deklarata juaj nëse nuk gaboja apo jo?

Artan Luku: Atëherë unë mendoj që opozita, përveç veprimeve sporadike individuale, deri ditën e djeshme nuk ka qenë shumë e orientuar se kush është mbështetja që duhet t'i japë protestës. Normalisht opozita e ka mbështetur protestën me pjesëmarrjen e deputetëve, me pjesëmarrjen e vetë njerëzve të thjeshtë, anëtarë të partive opozitare, sidomos Partisë Demokratike, dhe pothuajse e ka luajtur rolin e vet në një mënyrë. Se kush janë veprimet që duhet të bëjnë deputetët në mbështetje të protestës, ne sa më shumë rrimë, aq më shumë idera dalin. Por në fakt unë them që një fillim i mirë do të ishte nëse ne shkojmë në parlament me tre propozime konkrete siç unë i kam sugjeruar dhe në deklaratën time. Kush janë gjërat që kërkon protesta? Protesta kërkon Edi Rama të japë dorëheqjen, qeveri tranzitore, dhe një mori kërkesash, ligji për zonat e mbrojtura.

Atëherë unë mendoj asnjëra nga dy pikat e para nuk bëhet nëse ne nuk bëjmë një kuadër ligjor të duhur për të pasur zgjedhje të lira, për të pasur një reformë zgjedhore të drejtë. Fundja ka ardhur momenti që Shqipëria, unë e kam deklaruar dhe në intervistat e mëparshme, që ne të kemi një kod zgjedhor të drejtë, jo i bërë në kulisa apo në interesat e ngushta të partive apo të individëve të veçantë të cilët për të qenë vetë në listën e deputetëve kanë bërë kode zgjedhore që e kanë çuar Shqipërinë në një situatë që nuk kemi sistem demokratik të drejtë, nuk kemi përfaqësi qytetare. Kush është problemi tjetër që po ka shoqëria sot, se që protesta e ngren fort? Populli ka humbur kontrollin që duhet të kishte mbi pushtetin.

Ka humbur totalisht, sepse kemi një sistem referendumesh i cili nuk është i aplikueshëm. Atëherë një iniciativë tjetër shumë e domosdoshme dhe shumë interesante që po e dalim me ligjin e referendumeve, do ishte që ne të ndryshonim ligjin e referendumeve, dhe unë e kam thënë, për mua unë kam lexuar shumë për referendumet në atë kohë, dhe modeli zviceran në fakt është shumë i bukur, është ai që populli e ka totalisht kontrollin e vet mbi pushtetin. Duke u bazuar në tre shtyllat kryesore të demokracisë direkte në fakt: e drejta e iniciativës popullore, e drejta e vetos popullore mbi ligjet, referendumi i detyrueshëm për çështje kushtetuese që kanë të bëjnë me sovranitetin apo me pasurinë kombëtare. Pra neve pa i zgjidhur këto problem, detyrë e këtij parlamenti, detyrë e klasës së sotme politike është, që të krijojë një situatë demokracie në Shqipëri funksionale. Të krijojë një situatë ku populli fiton të drejtën e cila ka ardhur duke e humbur.

Domethënë e drejta e popullit shqiptar që pas referendumit të 98-ës pothuajse ka ardhur duke e humbur kontrollin që populli duhet të kishte mbi pushtetin. Kështu që unë mendoj që greva e urisë është okej, është diçka e pranueshme, po unë mendoj që neve duhet të marrim tre iniciativa të shpejta, emergjente për të çuar tre propozimet tona në parlament. Nëse Partia Socialiste nuk do t'i miratojë forcërisht asnjëra nga këto propozime, ose nuk pranon të ulet në tryezë fare për të qenë pjesë e këtyre propozimeve, atëherë po, do të shkojmë dhe në masa ekstreme siç është greva e urisë apo dhe forma të tjera, nuk është se na tremb, asgjë s'na tremb. Por sot aktualisht edhe sikur të duam të bëjmë, siç thotë protesta nuk bëjmë dot zgjedhje me kodin zgjedhor që kemi. Dhe duhet që ky parlament të miratojë një kod zgjedhor siç duhet, të drejtë, siç forcërisht po kërkohet nga të gjithë njerëzit. Mos harroni që kodi zgjedhor aktual nuk i jep mundësinë të krijohet asnjë forcë e re politike, nuk i jep mundësinë që qytetarët të krijojnë alternativa të reja politike dhe është bllokues. Domethënë ne jemi në një situatë që kemi një sistem të bllokuar i cili nuk bën përpara në sistemin demokratik në asnjërën nga mënyrat se si duhet të funksionojë.