Dorëheqja e Ramës/ Boçi: I njëjti definicion që transmetohet sot edhe nga protestuesit
Vendimi më i fundit i grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të bojkotuar seancat parlamentare, pritet të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve politike në vend.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, nënkryetari i PD, Luçiano Boçi u shpreh se kjo lëvizje drastike vjen si një akt i pastër solidariteti me protestuesit që ndodheshin në rrugë, duke synuar krijimin e një ure lidhëse mes veprimit politik në institucione dhe pakënaqësisë qytetare në sheshe.
Kauzat e ngritura së fundmi nuk janë të reja, theksoi Boçi, duke shtuar se ato janë përqafuar prej kohësh nga Partia Demokratike si pjesë e misionit të saj.
Objektivi kryesor dhe përfundimtar, shtoi deputeti i PD, mbetet i pandryshuar dhe tejet i qartë: largimi i kryeministrit aktual, dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie kujdestare ose teknike.
Qeveria tranzitore mbetet e vetmja rrugë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për qytetarët, u shpreh ndër të tjera Boçi.
Sot në fakt asnjë ditë mos jemi në sallën e parlamentit dhe pjesa më e madhe e deputetëve nuk kanë qenë në sallë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të mos shkojë në parlament në solidaritet me protestuesit dhe ishte një vendim i cili mund të afektojë edhe pjesëmarrje në seancat e tjera. Është një lloj veprimi ose vendimi politik që kërkon të vendosë një ndërlidhje me atë çka kërkojnë protestuesit dhe të mënyrës se si e realizojnë protestën e tyre, pa gjykuar atë vendimin e tyre pastaj për të reaguar ndaj të gjithë deputetëve në tërësi. Megjithëse qartazi edhe në seancën e kaluar kishte një lloj ndarje midis deputetëve të Partisë Demokratike dhe deputetëve të Partisë Socialiste.
Përbashkësia ndjehet nuk është e nevojshme vetëm të deklarohet. Dhe ne kemi qenë në autorë të protestave në shumë vite dhe ka një lloj solidariteti protestash. Nuk po flas për Zirkonin se ju e thatë vetë që Zirkoni është i vjetër në organizimin e protestave, bashkë me të kemi nja 13 vite, jo bashkë në linjën politike sepse Zirkoni është aktivist. Dhe kjo përbashkësi është e transmetueshme dhe dihet dhe është jo vetëm mënyra se si reagojnë opozitat, qytetare apo politike, por tani është edhe ai qëllimi që ne e kemi shprehur, është edhe përbashkësia e kauzave qytetare.
Kauzat që shprehen sot kanë qenë kauza qytetare të hershme dhe të marra edhe nga Partia Demokratike si pjesë e detyrës së saj si forcë opozitare. Të shndërruara në kauza politike në definimin kryesor që Rama duhet të largohet, qeveria duhet të dorëhiqet, të krijohet qeveri kujdestare apo qeveri teknike dhe t'i lihet vendi zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është i njëjti definicion që transmetohet sot edhe nga protestuesit. Kërkesat gjithmonë janë politike. Zgjidhjet në një shoqëri gjithmonë janë politike dhe patjetër që duhet të jenë politike.