'Tërmet' te Gjermania, Nagelsmann jep dorëheqjen! Federata gjermane ëndërron Klopp-in si trajner të ri
Eliminimi i parakohshëm i Gjermanisë nga Botërori 2026 ka sjellë zhvillime të rëndësishme në kampin e “Panzerave”. Sipas raportimeve të Sky Sports Germany, trajneri Julian Nagelsmann ka vendosur të japë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares gjermane.
Vendimi është marrë pas një analize të thelluar të paraqitjes së skuadrës në Kupën e Botës. Nagelsmann ua ka komunikuar dëshirën e tij për t'u larguar drejtuesve të Federatës Gjermane të Futbollit, pas një takimi që zgjati rreth tri orë e gjysmë.
Tashmë, Federata Gjermane e Futbollit ka nisur punën për gjetjen e pasuesit të tij dhe, sipas të njëjtit burim, emri i preferuar është Jurgen Klopp.
Megjithatë, emërimi i ish-trajnerit të Liverpoolit nuk pritet të jetë i lehtë për t'u realizuar, pasi bëhet fjalë për një objektiv shumë ambicioz. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e futbollit gjerman e konsiderojnë Klopp-in kandidatin ideal për të nisur një cikël të ri dhe për ta rikthyer Gjermaninë mes skuadrave më të forta të futbollit botëror.
Mbetet të shihet nëse Federata Gjermane do të arrijë ta bindë Klopp-in të marrë drejtimin e Kombëtares, në një moment delikat pas zhgënjimit të madh në Botërorin 2026.