Pasiguria financiare/ Burrat shqiptarë, rekord në Europë për moshën kur duan të dalin në pension

Teksa Shqipëria ka nivelin e pensionit ndër më të ulëtin në Europë, burrat shqiptarë janë ata që duan të lënë punën më vonë se çdo popull tjetër në Europë, sipas raportit më të fundit të Anketës Europiane të Kushteve të Punës (EWCS 2024).

Mesatarisht, ata deklarojnë se do të dëshironin të punonin deri në moshën 67.4 vjeç, niveli më i lartë mes 35 vendeve të analizuara, që përfshijnë vendet e Bashkimit Europian, Ballkanin Perëndimor, vendet e EFTA-s dhe disa shtete të tjera europiane.

Shifra e Shqipërisë është dukshëm më e lartë se në vendet e tjera. Pas saj renditen Danimarka (66.5 vjeç), Norvegjia (65.9), Suedia (65.9) dhe Holanda (65.5), vende me disa nga standardet më të larta të jetesës dhe sistemet më të zhvilluara të pensioneve në Europë.

Kontrasti me rajonin është edhe më i madh. Në Kosovë, burrat do të dëshironin të dilnin në pension në moshën 65 vjeç, në Serbi në 63.7 vjeç, në Maqedoninë e Veriut në 62.8 vjeç, në Bosnjë-Hercegovinë në 62.5 vjeç, ndërsa në Mal të Zi vetëm në 61.7 vjeç. Kjo do të thotë se shqiptarët janë të gatshëm të qëndrojnë në tregun e punës deri në gati 6 vite më shumë se malazezët dhe rreth 5 vite më shumë se boshnjakët.

Sipas raportit, mosha e preferuar e daljes në pension nuk lidhet vetëm me aftësinë për të punuar, por edhe me motivimin ekonomik për të vazhduar punën. Në vendet ku pensionet janë të ulëta ose pasiguria financiare është më e madhe, dëshira për të punuar më gjatë shpesh reflekton më shumë nevojën ekonomike sesa zgjedhjen personale.

Të dhëna të tjera të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri bëjnë të ditur se shumë persona që dalin në pension vitet e fundit nuk arrijnë të marrin pagesë të plotë, pasi nuk plotësojnë vitet e punës. Sipas ISSH, rreth 55% nga 641,085 pensionistët e vendit trajtoheshin me pension të pjesshëm, në një kohë kur vlera mesatare e kësaj pagese ishte vetëm 13,500 lekë, ndërsa pensioni mesatar arriti në 20 mijë lekë, nga 19.6 mijë lekë në 2024-n, një shumë që praktikisht nuk mjafton as për ilaçe le më pas për ushqim e kujdes.

Edhe të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i pensionistëve që punojnë po rritet gjithnjë e më shumë, duke “zëvendësuar” të rinjtë, me këta të fundit që po preferojnë emigrimin. Numri i pensionistëve që deklaronin se punonin ishte 130 mijë në vitin 2025, duke u rritur me 10 mijë persona, duke qenë sa 12% e të punësuarve nga 15 në 64 vjeç.

 Edhe gratë shqiptare duan të dalin më vonë në pension

Edhe gratë shqiptare renditen në grupin e vendeve ku preferohet dalja më e vonshme në pension. Mesatarisht, ato deklarojnë se do të dëshironin të dilnin në pension në moshën 63.5 vjeç, duke u renditur ndër vendet e para në Europë.

Vetëm Norvegjia (65.5 vjeç), Danimarka (65.4), Suedia (65.3) dhe Holanda (65 vjeç) kanë vlera më të larta. Në rajon, gratë shqiptare deklarojnë një moshë më të lartë se në Kosovë (63.2), Mal të Zi (62.8), Bosnjë-Hercegovinë (62.4), Maqedoninë e Veriut (61.5) dhe Rumani (61.4).

Megjithatë, ndryshe nga burrat, Shqipëria nuk mban vendin e parë për gratë, pasi vendet nordike dominojnë renditjen./ Monitor.