VIDEO/ Zvicra thyen mallkimin 88-vjeçar, mposht Algjerinë dhe kualifikohet në 1/8 e finales së Botërorit
Zvicra siguroi një vend në 1/8 e finales së Botërorit 2026, pasi mposhti Algjerinë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në Vankuver, të vlefshme për fazën e 1/16-ve.
Helvetët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e 10-të me Breel Embolo. Sulmuesi shfrytëzoi një rast të mirë dhe i dha avantazhin skuadrës së drejtuar nga Murat Yakin.
Pjesa e dytë nisi po aq mirë për Zvicrën, e cila dyfishoi shifrat vetëm një minutë pas rifillimit të lojës. Dan Ndoye realizoi në minutën e 46-të, duke vulosur fitoren 2-0 dhe duke i dhënë qetësi skuadrës së tij deri në fund të takimit.
Me këtë sukses, Zvicra jo vetëm që siguroi kalimin në fazën e 1/8-ve të finales, por edhe i dha fund një pritjeje të gjatë historike. Helvetët fituan për herë të parë një ndeshje me eliminim direkt në një Kupë Bote pas plot 88 vitesh, duke thyer një mallkim që kishte zgjatur që nga edicionet e para të turneut.
Në raundin e ardhshëm, skuadra e Murat Yakin-it do të përballet me fituesen e duelit mes Kolumbisë dhe Ganës, me synimin për të vazhduar rrugëtimin e saj në Botërorin 2026.