Sekuestrohet 340 kg kokainë e pastër në portin e Vado Ligure, vlera në treg arrin në 120 milionë euro
Nga Alba Kepi
Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Agjencia e Doganave dhe Monopoleve ka çuar në sekuestrimin e 340 kilogramëve kokainë me pastërti shumë të lartë në portin e Vado Ligure, në provincën e Savonës.
Operacioni u realizua nga efektivët e Komandës Provinciale të Guardia di Finanza në Savona, me mbështetjen e Njësisë së Policisë Ekonomike dhe Financiare të Gjenovës, në bashkëpunim me funksionarët e Sektorit Kundër Mashtrimit të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Savonës.
Gjatë kontrollit të një kontejneri të mbërritur nga një prej porteve kryesore të Kolumbisë, autoritetet zbuluan 300 pako që përmbanin, së bashku me paketimin, një sasi prej mbi tre kuintalësh lëndë narkotike. Analizat paraprake të kryera në vendngjarje konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë me pastërti shumë të lartë.
Sasia e drogës ishte fshehur me kujdes brenda një ngarkese me banane, metodë e përdorur shpesh nga grupet kriminale për të kamufluar transportin e lëndëve narkotike në rrugët tregtare ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve italiane, operacioni është rezultat i një aktiviteti intensiv analizash, monitorimi dhe kontrollesh mbi linjat tregtare që lidhin Amerikën e Jugut me portin e Vado Ligure, një nyje strategjike për qarkullimin e mallrave drejt vendeve të Evropës.
Hetuesit vlerësojnë se, nëse 340 kilogramët e kokainës do të ishin hedhur në tregun e paligjshëm, organizatat kriminale do të kishin përfituar rreth 120 milionë euro nga shitja me pakicë e drogës.
Sipas Guardia di Finanza, ky sekuestrim është pjesë e një strategjie të vazhdueshme dhe të mirëkoordinuar për luftën kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Objektivi i këtyre operacioneve është goditja e organizatave kriminale dhe mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht e shtresave më të rrezikuara të shoqërisë, nga pasojat e rënda që sjell përhapja e drogës.
Autoritetet italiane theksojnë se bashkëpunimi mes Guardia di Finanza dhe Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve vazhdon të jetë një element vendimtar në forcimin e kontrolleve kufitare, garantimin e sigurisë publike dhe luftën kundër krimit të organizuar.