U dhunua nga policia/ Drama e protestuesit të arrestuar: Në shtëpi e pret djali me epilepsi, shteti nuk...
Protesta e zhvilluar paraditen e sotme para Parlamentit u shoqërua me tensione, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojn video të shumta të dhunës policore.
Në një nga videot, pamjet tregojnë një protestues të shtrirë në tokë, të rrethuar nga efektivë policie. Në video duket se një prej policëve e godet me shkelma dhe me shkop gome, ndërsa protestuesi ndodhet i shtrirë në tokë.
Sipas personave të pranishëm në protestë, personi që shfaqet në pamje është Altin Hila, babai i një fëmije të paralizuar, i cili prej ditës së parë të protestave udhëton nga Durrësi në Tiranë së bashku me djalin e tij për të protestuar në mënyrë paqësore.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe një nga gazetarët, i cili përmes një postimi në Facebook ka ndarë historinë personale të protestuesit.
“Me Altin Hilën jam njohur së fundmi në protestë. Është një prind me halle shumë. Ka një fëmijë të vogël me epilepsi, i paralizuar dhe që ushqehet nga barku. Ai më ka thënë se del në protestë sepse shteti nuk i është gjendur aspak në hallet e tij”, shkruan gazetari.
Gazetari thekson se ndihma ekonomike që familja përfiton nuk mjafton as për të përballuar qiranë e banesës, çka, sipas tij, e ka shtyrë Altin Hilën të protestojë.
Stafa bën me dije gjithashtu se, sapo protestuesi u arrestua, kontaktoi avokatin Redi Ramaj, i cili, sipas tij, u paraqit menjëherë në Komisariatin nr. 3 për t’i ofruar ndihmë juridike.
Në postimin e tij, gazetari rrëfen edhe komunikimin me bashkëshorten e Altin Hilës, e cila, sipas tij, ishte e shqetësuar për arrestimin e bashkëshortit dhe tregoi se ai vuan gjithashtu nga probleme shëndetësore dhe është nën mjekim. Ajo shtoi se djali i tyre kishte pësuar një episod epilepsie gjatë ditës.
“Teksa e pyeta nëse kishte nevojë për gjë, u përgjigj: ‘Të dalë Altini nga burgu’. Për nevoja të tjera tha se për sot është në rregull, por nevojat e kësaj familjeje janë të mëdha, për shkak të gjendjes së fëmijës. Prandaj edhe Altini proteston. Ai nuk ka rrugë tjetër”, përfundon postimi i Osman Stafës.
Për Altin Hilën është hapur edhe një Go Found Me.
Postim i plotë:
Me Altin Hilën jam njohur së fundmi në protestë. Është një prind me halle shumë. Ka një fëmijë të vogël me epilepsi, (i paralizuar) dhe që e ushqen nga barku. Ai më ka thënë se po del në protestë se shteti nuk i është gjindur aspak në hallet e tij.
Ndihma që merr nga shteti, si kemp për djalin, nuk i mjafton as për qira. Ndaj proteston. Menjëherë sapo ai u arrestua, komunikova me avokatin Redi Ramaj. Ai u tregua i gatshëm për ta ndihmuar dhe shkoi menjëherë tek Komisariati 3.
Pasi morëm numrin e bashkëshortes së Altinit, nga vetë ai, kam komunikuar me të. Ishte shumë e shqetësuar për bashkëshortin e saj. Tentova ta qetësoj. Përveç hallit të fëmijës në shtëpi, tha se edhe Altini është i sëmurë. Merr ilaçe. Bashkëshortja e Altinit tha se djali sot ka pasur episod epilepsie.
Teksa e pyeta nëse ka nevojë për gjë, u përgjigj: "Të dalë Altini nga burgu". Për nevoja të tjera tha se për sot është në rregull, por nevojat e kësaj familjeje janë të mëdha, për shkak të situatës së fëmijës. Prandaj edhe Altini proteston. Ai nuk ka rrugë tjetër.