VIDEO/ Hoxha: Me ‘The Albanian Files’ SPAK mund të çmontojë të gjithë sistemin, me arkitektët Rama ka blerë influencë

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka deklaruar se protestat e sotme në Shqipëri pasqyrojnë, sipas tij, problematika që duhet të ishin tashmë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme.

Duke folur për rolin e SPAK, Hoxha u shpreh se nëse institucioni do të funksiononte sipas pritshmërive për të cilat u krijua, kërkesat e protestuesve do të ishin shumë më të avancuara dhe të formuluara si akuza të strukturuara.

Gazetari Artan Hoxha u shpreh se, libri ‘Dosjet Shqiptare’, përmban të dhëna që, sipas tij, mund të përbëjnë bazë të menjëhershme hetimore. Sipas tij, libri përmban informacione mbi kompani ndërkombëtare arkitekture dhe projekte ndërtimi në Shqipëri, të cilat janë pjesë e një sistemi të organizuar ekonomik dhe politik.

Hoxha u shpreh se, përmes këtyre projekteve, Edi Rama ka blerë ndikim politik në vendet nga  ku është origjina e studiove të arkitekturës.

‘Nëse SPAK-u do të ishte në linjën për të cilën u premtua dhe u krijua, sigurisht që unë besoj se protestë do kishte, por kërkesat e protestuesve do të ishin shumë herë më të ndryshme nga ato që janë sot. Pra po t'i shikosh, kërkesat e protestuesve duket sikur janë aktakuza, të gjitha ato që do t'i kishte bërë prokuroria e posaçme.

Për shembull dje unë i pashë protestuesit, mos gaboja dje çuan në SPAK librin ‘Dosjet e Shqiptarëve’. Unë mendoj që SPAK s'ka nevojë t'ia çojë njeri atë, që në momentin që është publikuar ai material, një prokuror ose një oficer i BKH-së, regjistron procedimin nga një burim i hapur, merr atë librin dhe po ka akuzë më të detajuar aty dhe më të bukur se ajo ata e kanë bërë nga zelli për t'i shërbyer Ramës, por kanë përmbledhur në 750 faqe gjithë thelbin e sistemit që ka sot, ose që mban sot në këmbë Ramën.

Pra në ato 750 faqe ti ke 60 kompanitë kryesore të arkitekturës në Europë, të cilat kanë plotësuar vetë formularin, në dëshirën e tyre pa ua kërkuar askush, me detajet më të hollësishme. Dhe i thonë SPAK-ut, kemi 523 projekte që i kemi bërë, nuk kemi bërë garë se s'na ka kërkuar njeri garë, pra na ka marrë kryeministri vetë dhe na ka thënë:

‘Hajdeni këtu tek ne, sepse jeni të mirëpritur dhe do paguheni mirë’. Gjë që ata thonë që ka ndodhur, dhe ne e dimë fare mirë. Për çdo leje sot, kryeministri të orienton te një studio arkitekture e huaj dhe ti minimalisht fillon nga një 1.5 milionë euro pagesë për të, që s'bën asnjë lloj pune.

Tjetra, nga të gjitha ato projekte, natyrisht shumë interesante ajo pjesë, 57 janë ndërtuar, SPAK-u e ka fare kollaj të shkojë atje, të gjejë kush i ka ndërtuar, kush është financuesi, iku kjo. 53 të tjera po ndërtohen, i ke gati aty s'fshihen, nuk futen brenda, janë në festë të popullit. Dhe ke 47 që janë në proces leje.

Pra, i ke gati, nuk ke pse lodhesh fare, s'ke nevojë për burime njerëzore që duhet të njohin mirë krimin ekonomik e të tjerë. Dhe tjetra, 7 studio mes tyre, ato më të mëdhatë, nuk kanë deklaruar 41% të financuesve. Kush i financon aty? Kush i ka financuar këto projekte?

Pra kush ka kaq lekë në Shqipëri, të financojë grataçelat e këtij niveli? Kushtojnë shumë! Është fare e thjeshtë dhe nga aty, ti nuk ke nevojë më të kërkosh të çosh letërporosi në cep më të cep të planetit, se ti i ke këtu, ta kanë shpjeguar vetë. Është kaq e thjeshtë.

Dhe kjo është gjë që SPAK-u vetëm me këtë çështje, për mua, nuk çmonton vetëm Ramën, por çmonton të gjithë sistemin dhe s'ka nevojë të kërkojë letërporosi, po t'jua çojë atyre andej sepse pjesa më e mirë e këtyre studiove kanë dëshmuar vetë që në këtë vend, kanë abuzuar.

Janë paguar për një shërbim për të cilin nuk kanë konkurruar siç e kërkon ligji, dhe mbi të gjitha janë paguar goxha mirë. Dhe nëpërmjet këtyre pagesave Rama ka blerë influencën në vendet e Bashkimit Europian, prandaj i ka marrë këto studio. Ai ka gjetur një mënyrë për të blerë influencën. Dhe këto para, janë paratë e qytetarëve shqiptarë.

Sepse edhe narkotrafikantët këtu nuk janë futur për të bërë investim, po janë futur që paratë e tyre t'i dyfishojnë, t'i trefishojnë. Jo thjesht t'i pastrojnë, po donin t'i pastronin blinin apartamente, po ata janë bërë aksionerë, financues dhe pastaj pronarë të kompanive.

Pra gjithë sistemin ti e ke të ky, dhe është kaq e thjeshtë, pra kërkesa kryesore që kanë protestuesit, pra të gjithë ata që i kanë mbushur sheshet sot, SPAK-u e ka të materializuar tek ky katalogu. Unë nuk e di kujt i ka shkuar mendja aty, po po ka një akuzë konkrete...

Kujt i ka shkuar mendja që është e tmerrshme t'i mbledhësh të gjithë organizatat kriminale të narkotrafikut në Shqipëri, të cilin ata të shkruajnë me vullnet të plotë: ‘Kemi shitur kaq ton, kemi marrë kaq milionë, kemi paguar kaq për fushata, kemi dhënë kaq për ryshfet’.

Pra është identike. Pra nëse te kahu tjetër deri tani ka funksionuar Sky dhe EncroChat me bisedat e dekriptuara, tek korrupsioni, ky është Sky dhe EncroChat-i për mua, Dosjet Shqiptare.

Është perla, është e sintetizuar e gjithë mënyra si është mbështetur kjo, dhe emri që kanë gjetur është shumë domethënës: Dosjet Shqiptare. Unë po them, një magazinier i BKH-së ta marrë sa ka dalë atë ditë, s'ka nevojë më, ti e ke aty, ta kanë treguar vetë thashë, të mbledhësh gjithë bosët e krimit në Shqipëri të narkotrafikut, dhe ata të shkruajnë me dorën e vet.

Këtë gjë kanë bërë nga krahu tjetër, dhe për më tepër, janë para që është blerë influenca perëndimore në Shqipëri. Në perëndim nuk shkon pronari i kompanisë për të marrë lejen në bashki, po shkon studio arkitekturore.

Prandaj arkitektët janë shumë të rëndësishëm dhe ai ka thirrur kaq shumë arkitektë sa janë dashur për të gjitha, po të shikosh në të gjitha vendet kryesore të BE-së, ai ka marrë studiot më të njohura. Dhe ata janë elitë, arkitektët janë elitë, dhe ata kanë miq elitën e vendeve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Dhe ata janë paguar në Shqipëri për një punë që s'ka patur nevojë ta bëjnë, sepse e kanë bërë nënkontraktorët shqiptarë, arkitektët shqiptarë. Po ata në fakt janë sjellë në Shqipëri për të blerë këtë influencën atje. Sepse i ka thirrur, projektet i kanë bërë tanët, s'i kanë bërë ata, emrin i kanë dhënë, po të tregojnë ca studio shqiptare, kanë bërë projektet.’, u shpreh gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.