Protestuesit marshojnë drejt Komisariatit nr. 3, kërkojnë lirimin e të arrestuarve
Protestuesit kanë ndryshuar itinerarin e marshimit dhe janë nisur drejt Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ku po mbahen edhe disa prej personave të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar më herët ditën e sotme para Parlamentit. Gjatë marshimit qytetarët dëgjohen teksa brohorasin thirrjet, 'Lironi çunat', 'Posht diktatura' apo 'Dorëheqje', shoqëruar me qindra qytetarë me pankarta në duar.
Protesta e sotme u shoqërua me tensione të forta mes qytetarëve dhe Policisë së Shtetit. Gjatë ndërhyrjes, efektivët përdorën spraj piperi, gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestuesit. Përplasjet përfunduan me shoqërime dhe arrestimin e disa protestuesve.
Aktualisht, protestuesit ndodhen pranë Bashkisë së Tiranës dhe po marshojnë në drejtim të Komisariatit nr. 3, në rrugën "Mine Peza", ku pritet të kërkojnë lirimin e të arrestuarve dhe të vijojnë protestën përpara ambienteve të komisariatit.