Flakët përfshijnë jugun e Francës
Flakët vijojnë të përfshijnë jugun e Francës, ku zjarrfikësit po luftojnë me disa vatra të mëdha zjarri, të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat ekstreme që kanë goditur vendin pas valës së të nxehtit në Europë.
Tre zjarre kanë djegur mbi 1 mijë e 200 hektarë tokë, dy prej tyre në afërsi të qytetit portual të Marsejës. Situata më kritike paraqitet në zonën e Aude, pranë kufirit me Spanjën, ku flakët kanë përshkuar rreth 900 hektarë.
Rreth 800 zjarrfikës janë angazhuar në terren, ndërsa erërat e forta po e bëjnë shumë të vështirë izolimin e zjarrit.
Një vatër pranë aeroportit të Marsejës është vënë nën kontroll, ndërsa autoritetet kanë neutralizuar edhe një tjetër zjarr në Lancon-Provence, ku u dogjën rreth 260 hektarë.
Në qytetin turistik Frejus, mbi 2 mijë persona u evakuuan nga gjashtë kampe pushimi për shkak të avancimit të flakëve.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, temperaturat rekord, lagështia shumë e ulët dhe bimësia e tharë kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në Europën Perëndimore.
Autoritetet franceze paralajmërojnë se një tjetër valë e të nxehtit pritet të godasë vendin javën e ardhshme. Ndërkohë, pas vapës ekstreme, Rumania u godit nga moti i ashpër.
Një stuhi e fuqishme përfshiu Bukureshtin dhe 20 qarqe të vendit, duke shkaktuar vdekjen e një personi nga rrëzimi i një peme mbi automjetin ku udhëtonte. Stuhia la pas dëme në banesa, automjete dhe infrastrukturë.