Tragjedi, 6-vjeçari me nënë shqiptare, nxirret i vdekur nga pishina

Një fëmijë 6-vjeçar humbi jetën pasi u gjet në pishinën e një shtëpie.

Ngjarja ndodhi pasditen e kësaj të enjteje në Gialova, në Komunën Pylos-Nestor, në Mesini.

Sipas informacioneve, fëmija ishte me nënën e tij, një 32-vjeçare shqiptare, e cila punonte si pastruese në një shtëpi 2-katëshe në zonë.

Në rrethana që po hetohen, dyshohet se i mituri i ka shpëtuar vëmendjes së saj ndërsa ajo po kryente punë pastrimi në katin e sipërm të shtëpisë. Pak kohë më vonë, nëna e gjeti atë pa ndjenja në pishinë.

Menjëherë u thirr një ambulancë e EKAB dhe ekipet e shpëtimit mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, të cilët filluan përpjekjet e ringjalljes me CPR. Fëmija u transferua në Qendrën Shëndetësore të Pylos, ku, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe ekipeve të shpëtimit, u konfirmua rreth orës 16:30 të pasdites i vdekur.

Nëna e fëmijës është në gjendje shoku, ndërsa një hetim paraprak është urdhëruar për rastin nga Departamenti i Policisë së Pylos.

Njëkohësisht, është urdhëruar kryerja e autopsisë me qëllim sqarimin e rrethanave të sakta të tragjedisë.