VIDEO/ Tomorri: Protesta nuk ka qenë e dhunshme, policia e çoi në skenarin e dhunës
Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ në SYRI TV, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj mënyrës së veprimit të Policisë së Shtetit gjatë protestës para Kuvendit, duke pretenduar se përplasjet nuk kanë qenë spontane, por të nxitura.
Sipas tij, ajo që është parë në terren nuk ka qenë një protestë e dhunshme nga qytetarët, por një situatë e shtyrë drejt tensionit nga ndërhyrja e forcave të rendit. Tomorri thekson se përplasja ka nisur vetëm pas ndërhyrjes së policisë për të larguar protestuesit nga zona përpara Kuvendit, ku ata po prisnin daljen e deputetëve.
Ai nënvizon se protestuesit nuk kanë kaluar asnjë kordon sigurie dhe se nuk ka pasur shkelje të perimetrit të vendosur nga policia. Në analizën e tij, Tomorri ngre dyshime mbi interesin politik të përshkallëzimit të situatës, duke sugjeruar se një skenar i tillë i shërben narrativës së mazhorancës.
‘Shiko, unë nuk kam parë një protestë të dhunshme. Kam parë një taktikë të forcave të rendit, policisë, për ta çuar protestën drejt skenarit të dhunës.
Po ta shohësh edhe sot, përplasja ka nisur kur policia ka ndërhyrë për të larguar protestuesit nga vendi ku ata po qëndronin para kuvendit, sepse ishin duke pritur deputetët që të dilnin.
Pra donin të dilnin deputetët dhe policia mësyu. Madje kur policia ka ndërhyrë, protestuesit kanë qenë të ulur dhe askush nuk ka kaluar, nuk ka patur asnjë protestues, të paktën nga pamjet që kemi parë, që ta ketë kaluar gardhin që ishte vendosur nga forcat e rendit, pra rrethimin që kishin bërë ata me gardh të zonës së parlamentit, po e quajmë kështu.
Pra pse policisë tani apo qeverisë i intereson që ta çojë protestën drejt skenarit të dhunës?
Sigurisht i intereson ta çojë për të ushqyer narrativën e saj që kjo protestë organizohet nga njerëz të cilët kanë interferenca, ka aty, e kemi dëgjuar ne se çfarë thonë ata, dalin zoti Balla, vetë kryeministri dhe shumë eksponentë të tjerë të maxhorancës thonë që në protestë ka elementë kriminalë, ka njerëz të cilët punojnë për llogari të apo paguhen nga forca të cilat apo nga shtete të cilat janë vende, të cilat janë shërbime armike me Shqipërinë, e kështu me radhë.
Pra, kjo është qartazi ajo që i intereson pushtetit. Ndërkohë, unë e di se sa e vështirë është të ruash ftohtësinë dhe të mos biesh pre e provokimit në një protestë. Sigurisht në një protestë ku qartazi nuk ka një drejtim të unifikuar, pra nuk ka një, po themi, grup drejtues apo që e udhëheq, por ka një bashkim qytetarësh që vijnë nga shtresa të ndryshme, ideologji të ndryshme, përkatësi të ndryshme apo grupe të ndryshme shoqërore po të doni.
Dhe sigurisht është e pamundur që këta të kontrollohen dhe sigurisht që është shumë e vështirë që t'i rezistosh tundimit. Por është momenti që protestuesit duhet të jenë gjakftohtë dhe nuk duhet të kalojnë apo nuk duhet t'i përgjigjen provokimeve që bën policia me dhunë.
Sepse kjo do t'i japë më shumë qeverisë argumenta për ta delegjitimuar protestën, ndërkohë që duhet thënë tashmë, është një fakt i gjithëpranuar që kjo është një nga protestat më civile dhe më të bukura që ka ndodhur në Shqipëri, të paktën që pas atyre të vitit '90, të cilat ne i pamë edhe me pamje.
Është qartazi një përballje mes qytetarëve dhe një pushteti i cili tashmë i është shpërfaqur jo vetëm qytetarëve, jo vetëm publikut, por edhe më gjerë, si një pushtet i kalbur, i ka rënë, dhe nëse ka një fitore të madhe të kësaj proteste që tashmë e ka arritur, është ajo e grisjes së imazhit fallco që kjo qeveri kishte ndërtuar në raport me ndërkombëtarët si një qeveri demokratike, si një qeveri e cila ishte pro-europiane, e kështu me radhë.’, tha gazetari Klodian Tomorri ndër të tjera në SYRI TV.