Policia grushta, shkelma e pranga, 12 qytetarë në paraburgim! Protestuesit tek Komisariati nr 3 kërkojnë lirimin e tyre
Raporton Fatjon Gjinaj
Në komisariatin numër tre, njëherësh edhe blloku i sigurisë ku mbahen personat e paraburgosur deri në një vendim të gjykatës po mbahen deri tani në paraburgim 12 qytetarë. Nuk dihet nëse do vendoset lirimi i tyre apo do shfrytëzohet afati 72 orësh kohor për të dalë përpara gjykatës që të vlerësohet masa e sigurisë.
Prej disa orësh tashmë protesta e zbuar nga dhuna dhe reprezalja policore përpara dyerve të Kuvendit është zhvendosur në dyert e komisariateve si rrallëherë ndodh.
Shumë qytetarë ndodhen në rrugën ‘Mine Peza’ dhe thërrasin për lirimin e tyre “Na lironi shokët’. Ata janë ulur në trotuare, ndodhen në rrugë dhe ku kanë mundur. Janë qytetarë të shumtë që kanë ardhur për të kërkuar lirimin e bashkëqytetarëve të tyre që mbahen të ndaluar në komisariatin numër tre.
Janë të paktën 12 qytetarë të ndaluar prej disa orësh dhe do të shihet nëse do të vendoset lirimi i tyre apo do të plotësohet ajo që thashë pak më sipër, procedimi i tyre dhe ngritja e ndonjë akuze nga policia për t'i lënë pas 72 orësh në vlerësim të gjykatës. Ndërkohë që në komisariatin numër një u mbajtën të ndaluar katër qytetarë me masë sigurie paraprake të paktën arresti policor deri në vlerësim të gjykatës penale të Tiranës, që do të mbahet pas dy ditësh lidhur me këto masa të lëshuara nga policia dhe...
Në komisariatin numër një nuk kemi raportime për persona të tjerë të ndaluar pasi janë dërguar në komisariate të tjera. Katërshja në fjalë janë pikërisht personat që u ndaluan në një bar kafe në hyrje të Kuvendit, të cilët u përplasën me trupërojat e Ulsi Manjës, deputetit të Partisë Socialiste, brenda një ambienti lokali.
Avokatët kanë pretenduar se nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm por policia thotë se kanë prishur pronën private, kanë dëmtuar atë si dhe kanë prishur qetësinë publike, e vepra të tjera si kundërshtimi i punonjësit të policisë.
Ndërkohë që protestuesit ndodheshin duke konsumuar një kafe në orët e mëngjesit pak para nisjes së seancës plenare kur protestuesit ende nuk ishin grumbulluar në dyert e parlamentit dhe vetëm se kanë lëshuar disa thirrje kundër qeverisë dhe ish-ministrit Ulsi Manja, ata kanë pretenduar që janë fyer nga trupërojat e këtij të fundit, janë denigruar me fjalë të rënda dhe më pas gjiçka ka agravuar edhe në përplasje fizike.
Por duhet vlerësuar nëse agjencitë e zbatimit të ligjit, përfshirë AMP-në, nëse shoqëruesit kanë targetin shtetëror apo privat, dhe nëse do të jetë AMP-ja ajo që do të verifikojë veprimet edhe të punonjësve të Gardës. Nëse ata janë të Gardës që janë futur në një ambient privat për t'u konfliktuar me disa qytetarë që ndodheshin atje.
Në terren konstatohet mungesa e proporcionalitetit në veprime. E teksa protestuesit hidhnin vezë, miell apo sende të tjera të ngjashme, nga ana e policisë nuk u kursye gazi lotsjellës, spray me piper, uji me autobot, e deri tek shkopinjtë e gomës apo tërheqja zvarrë e qytetarëve nëpër rrugët e Tiranës.
Një rast që ka ngjallur reagim të shumtë është dhe po përhapet masivisht në rrjetet sociale dhe që mund të themi është kthyer në simbol i kësaj proteste është një prind që është parë çdo ditë në protestat qytetare prej 33 ditësh në Tiranë, 32 bashkë me sot 33, që zakonisht shfaqet dhe duket me një karrocë ku mban fëmijën e tij të mitur që është me aftësi fizike e i paralizuar, është pjesë e personave që sulmohet fizikisht, shtrihet barkas nga dhjetëra policë me shkopinj gome pas kurrizit dhe me skafandra, i vendosin gjunjët dhe shkelmat në bark dhe në kurriz dhe i vendosin prangat.