Teliti zgjidhet anëtar i Kryesisë së PD: Falënderim për besimin, përgjegjësi për të ardhmen
Këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka bërë të ditur se është zgjedhur për herë të parë anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Teliti u shpreh se detyra e re iu besua pas propozimit të kryetarit të PD-së dhe votës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij politik.
Ai falënderoi drejtuesit e partisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar për besimin e dhënë, ndërsa theksoi se angazhimi i ri përfaqëson një përgjegjësi të madhe ndaj demokratëve dhe çdo qytetari që beson te ndryshimi.
Sipas Telitit, detyra e re kërkon përkushtim maksimal dhe punë të palodhur për të ndërtuar të ardhmen që, sipas tij, Shqipëria meriton. Ai shtoi se, pavarësisht sfidave që e presin Partinë Demokratike, me besim, integritet dhe punë në skuadër, objektivat mund të arrihen.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Dje, me propozim të Kryetarit të Partisë Demokratike Prof.Dr. Berisha dhe me votën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, mu besua për herë të parë detyra e anëtarit të Kryesisë së PDSH-së.
Ky moment shënon një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tim politik, por mbi të gjitha, është një përgjegjësi e madhe ndaj secilit prej jush, ndaj demokratëve dhe ndaj çdo qytetari që beson te ndryshimi.
Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht lidershipin e partisë për besimin dhe çdo anëtar të Këshillit Kombëtar për mbështetjen.
Ky angazhim i ri kërkon përkushtim maksimal dhe punë të palodhur për të ndërtuar të ardhmen që vendi ynë meriton.
Rruga përpara ka sfida, por me besim, integritet dhe punë skuadre, jam i bindur se do t'ia dalim.
Na priftë e mbara!