VIDEO/ Policia e Ramës rreh brutalisht babain e fëmijës së paralizuar, e godet me shqelma e shkop gome
Protesta e zhvilluar paraditen e sotme para Parlamentit u shoqërua me tensione të forta, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë video që tregojnë më së miri dhunën brutale të policisë së Edi Ramës.
Pamjet e publikuara tregojnë një protestues të shtrirë në tokë, të rrethuar nga efektivë policie. Në video duket se një prej policëve e godet me shkelma dhe me shkop gome, ndërsa protestuesi ndodhet i immobilizuar në tokë. Këto pamje janë shpërndarë gjerësisht në internet dhe kanë nxitur reagime të shumta, ku qytetarët akuzojnë policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj qytetarëve që merrnin pjesë në protestë.
Sipas personave të pranishëm në protestë, personi që shfaqet në video është babai i një fëmije të paralizuar, i cili prej ditës së parë të protestave udhëton nga Durrësi në Tiranë së bashku me fëmijën e tij për të protestuar në mënyrë paqësore.
Pamjet kanë ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale. Qindra komente dënojnë dhunën e pajustifikuar ndaj protestuesve, ndërsa shumë qytetarë kërkojnë sqarime dhe përgjegjësi nga autoritetet për mënyrën e ndërhyrjes së policisë.
Edhe figura publike dhe persona të njohur kanë reaguar në platformat e tyre sociale, duke shpërndarë videon dhe duke shprehur shqetësimin për skenat e dhunës që shfaqen në të.