Automjeti shkrumbohet nga flakët në rrugën e Lumit të Vlorës, dyshohet për defekt teknik
Një automjet është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në rrugën e Lumit të Vlorës, në segmentin që lidh fshatrat Kuç dhe Qeparo, duke u djegur pothuajse tërësisht.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Himarës, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të tyre, automjeti është shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt teknik në automjet, i cili ishte në lëvizje në momentin kur shpërthyen flakët.
Siç duket edhe nga pamjet, zjarri ka përfshirë të gjithë automjetin, si pjesën e përparme ashtu edhe atë të pasme, ndërsa intensiteti i flakëve e ka bërë të pamundur shpëtimin e tij.
Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar. Sapo kanë konstatuar flakët, personat që ndodheshin në automjet kanë dalë menjëherë jashtë, duke shmangur pasoja për jetën dhe shëndetin e tyre.
Rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse.