Katër protestues mbahen në paraburgim pas arrestimit të dhunshëm nga Policia në kafen pranë Kuvendit
Katër protestues vijojnë të mbahen në paraburgim pas aksionit të Policisë së Shtetit, të zhvilluar gjatë protestës së sotme para Parlamentit, ku qytetarë të shumtë kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të mazhorancës.
Gjatë protestës, qytetarët goditën në mënyrë simbolike me vezë automjetet luksoze të disa deputetëve të Partisë Socialiste. Situata u përshkallëzua kur forcat e Policisë ndërhynë për t'i larguar protestuesit, duke ushtruar dhunë, përdorur gaz lotsjellës ndaj qytetarëve dhe kryer arrestime.
Katër prej protestuesve, të arrestuar që prej mëngjesit mbahen në paraburgim. Sipas informacioneve, arrestimi i tyre u krye gjatë një aksioni të dhunshëm të Policisë në ambientet e një lokali pranë Kuvendit, ku forcat e policisë mësynë me qëllim arrestimin e protestuesve.
Ndaj katër personave janë ngritur akuza për katër vepra penale, ndërsa ata vijojnë të mbahen në paraburgim. Ndërkohë, sipas raportimeve nga gazetari Fatjon Gjinaj bëhet me dije se të arrestuarit ndodhen në ambjentet e Komisariatit Nr. 3.