SYRI TV/ Pensionistët kërkojnë rritje të pensioneve: 5 mijë lekë bonus nuk mjaftojnë

Bonusi prej 5 mijë lekësh për pensionistët konsiderohet një ndihmë e përkohshme dhe që nuk zgjidh vështirësitë ekonomike të tyre. Pensionistët e Fierit theksojnë se problemi kryesor mbeten pensionet e ulëta, të cilat nuk u mundësojnë të përballojnë rritjen e vazhdueshme të çmimeve, ndaj kërkojnë të ndërmerren politika afatgjata për rritjen e pensioneve.

SYRI TV

Pavarësisht se ka nisur shpërndarja e bonusit veror prej 5 mijë lekësh për pensionistët, shumë prej tyre shprehen se kjo është vetëm një ndihmë e përkohshme dhe nuk zgjidh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen çdo ditë. Pensionistët në qytetin e Fierit thonë se e mirëpresin bonusin, por theksojnë se problemi kryesor mbeten pensionet e ulëta, të cilat nuk u mundësojnë të përballojnë rritjen e vazhdueshme të çmimeve.

Sipas pensionistëve, shpenzimet për ushqimet bazë janë rritur ndjeshëm, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave shkon për blerjen e ilaçeve, ndaj shuma që marrin nga pensioni nuk mjafton për t'i përballuar.

Pensionistët  kërkojnë që përveç bonuseve, të ndërmerren politika afatgjata për rritjen e pensioneve, në mënyrë që të moshuarit të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet dhe të përballojnë kostot gjithnjë në rritje të jetesës.