BE thirrje BeH-së për reforma të shpejta: Dritarja e anëtarësimit mund të mos jetë gjithmonë e hapur

Shefja e politikës së jashtme së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, u bëri thirrje liderëve në Bosnjë e Hercegovinë që të përshpejtojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, duke paralajmëruar se "dritarja aktuale e mundësisë" për zgjerim "mund të mos jetë e hapur përgjithmonë".

Duke folur gjatë një vizite te trupat e EUFOR Althea në kuadër të misionit të BE-së, Kallas tha se reformat e qëndrueshme mbeten "mënyra më e shpejtë dhe më efektive" për të avancuar procesin e anëtarësimit, duke theksuar se progresi politik është thelbësor për të ardhmen evropiane të vendit.

Ajo theksoi se anëtarësimi në BE vazhdon të jetë garancia më e fortë e stabilitetit dhe mbrojtjes kundër pasigurisë politike dhe ndërhyrjeve të jashtme, duke shtuar se e ardhmja e Bosnjës e Hercegovinës është në BE.

"Reformat e qëndrueshme janë mënyra më e shpejtë dhe më efektive për të avancuar procesin e anëtarësimit. Kjo dritare mundësie për anëtarësim mund të mos jetë gjithmonë e hapur", tha ajo.

"Ne do të vazhdojmë të mbështesim Bosnjë e Hercegovinën në çdo hap të rrugës, por progresi varet nga zgjedhjet që bëhen këtu", shtoi Kallas, duke theksuar se vonesat në zbatimin e reformave të dakorduara tashmë i kanë kushtuar vendit fonde të rëndësishme të BE-së dhe rrezikojnë humbje të mëtejshme nëse progresi ngec.

Sipas Kallas, Bosnjë e Hercegovina ka humbur 108 milionë euro nga mbështetja e BE-së për shkak të mosplotësimit të angazhimeve për reforma, ndërsa 370 milionë euro të tjera janë në rrezik.

Kallas gjithashtu iu referua dinamikës më të gjerë rajonale, duke përmendur progresin e vazhdueshëm të procesit të anëtarësimit në BE me Malin e Zi, Shqipërinë, si dhe negociatat e sapohapura me Ukrainën dhe Moldavinë, duke paralajmëruar se Bosnjë e Hercegovina "nuk mund të përballojë të mbetet prapa"./ AA.