Familjet ukrainase janë shkatërruar nga lufta. Ribashkimi i tyre nuk është aspak i lehtë
Nga Irina Kuznetsova – The Conversation/
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të madhe të zhvendosjes së detyruar të popullsisë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Që nga viti 2026, rreth 4.4 milionë refugjatë nga Ukraina gëzojnë status të përkohshëm mbrojtjeje në Bashkimin Europian. Ndërkohë, rreth 4.6 milionë të tjerë janë të zhvendosur brenda vendit.
Qindra mijëra familje janë ndarë dhe shumë të afërm nuk janë parë me njëri-tjetrin prej vitesh. Burrat që i nënshtrohen mobilizimit ushtarak nuk lejohen të largohen nga Ukraina, ndërsa të moshuarit dhe personat me vështirësi në lëvizje e kanë të vështirë të evakuohen. Të tjerë kanë zgjedhur thjesht të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Udhëtimi brenda Ukrainës është i pasigurt, ndërsa udhëtimet jashtë vendit janë të kushtueshme dhe, në disa raste, të kufizuara. Edhe komunikimi digjital nuk është gjithmonë i mundur, veçanërisht për familjet që tani ndodhen të ndara mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi autoritetet ruse kanë bllokuar aksesin në rrjetet sociale të huaja.
Për shumë banorë të Ukrainës, zhvendosja në Rusi ka qenë një realitet. Mbi 1 milion ukrainas u larguan drejt Rusisë gjatë viteve 2014–2015, kur Rusia nisi të organizonte konfliktin në rajonet Donetsk dhe Luhansk, në lindje të Ukrainës. Mendohet se një numër i ngjashëm ka kaluar kufirin rus që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022.
Mes viteve 2016 dhe 2018, unë zhvillova një studim mbi ukrainasit e zhvendosur në Rusi. Zbulova se disa kishin zgjedhur të shkonin në Rusi në vend që të zhvendoseshin në pjesë të tjera të Ukrainës, sepse kishin frikë se kriza në vendin e tyre do të përkeqësohej. Shumë prej njerëzve që takova kishin miq në Rusi ose kishin punuar më parë atje.
Kur filloi pushtimi i plotë në vitin 2022, arratisja drejt Rusisë ishte shpesh e vetmja mënyrë për banorët pranë vijës së frontit që të shpëtonin gjallë, pasi lufta e bënte pothuajse të pamundur udhëtimin nga zonat nën kontrollin rus drejt pjesëve të tjera të Ukrainës. Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se qindra mijëra civilë ukrainas nga territoret e pushtuara, përfshirë dhjetëra mijëra fëmijë, janë transferuar me forcë në Rusi gjatë luftës.
Ribashkimi i familjeve
Rastet e ribashkimit familjar kanë qenë të rralla, veçanërisht për familjet e ndara mes Rusisë dhe Ukrainës. Kufijtë e Ukrainës me Rusinë janë mbyllur që nga viti 2022 dhe hyrja e shtetasve ukrainas në Rusi lejohet vetëm përmes Aeroportit Sheremetyevo në Moskë. Edhe atëherë, hyrja është e mundur vetëm pasi udhëtohet përmes vendeve të treta, si Turqia.
Megjithatë, hyrja nuk është aspak e garantuar. Një studim i fundit i organizatës Women Building Bridges, një nismë e aktivistëve nga Ukraina dhe Rusia, përshkruan pengesat me të cilat përballen familjet ukrainase të ndara. Vendimet për lejimin ose jo të hyrjes së shtetasve ukrainas në Rusi merren nga njësitë e kontrollit kufitar pa asnjë transparencë.
Shpesh hyrja refuzohet për periudha të gjata, ankesat rrallë japin rezultat dhe arsyet e refuzimit nuk bëhen publike ose nuk dihen paraprakisht. Rreziku i ndalimit të hyrjes në Rusi pas një refuzimi ka bërë që shumë ukrainas të heqin dorë nga udhëtimi. Siç u shpreh një grua që u zhvendos në Rusi, ndërsa vajza e saj mbeti në Ukrainë:
"Tani vendosin ndalime hyrjeje për 20, madje edhe 50 vjet. Nëse unë do të sëmuresha rëndë dhe vajza ime do të detyrohej t'u lutej oficerëve të kufirit në Sheremetyevo që ta lejonin të hynte, duke u treguar dokumentet mjekësore… mos e dhëntë Zoti. Nëse asaj do t'i refuzohej hyrja, atëherë më pas asnjë dokument nuk do ta ndihmonte."
Qytetarët ukrainas që mbërrijnë në Sheremetyevo kanë raportuar gjithashtu se janë marrë në pyetje dhe i janë nënshtruar kontrolleve fizike nga rojet kufitare, ndërsa telefonat dhe laptopët e tyre janë kontrolluar. Disa janë ndaluar për ditë të tëra pa baza të qarta ligjore apo afate të përcaktuara, ndërsa të tjerë thonë se janë përballur me kërcënime, presion psikologjik dhe raste dhune.
Ndërkohë, për ukrainasit që jetojnë në territoret e pushtuara nga Rusia është jashtëzakonisht e vështirë të kenë qasje në shërbimet konsullore të Ukrainës ose të Bashkimit Europian. Shërbimet që kërkojnë praninë fizike, si rinovimi i pasaportave, i detyrojnë njerëzit të largohen nga territoret e pushtuara dhe të udhëtojnë drejt zonave të kontrolluara nga qeveria ukrainase ose ambasadave të Ukrainës në vende të treta. Kjo e bën edhe më të vështirë ribashkimin e familjeve të ndara.
Ndërtimi i paqes
Ribashkimi i familjeve nuk është vetëm një çështje humanitare, por edhe një element i rëndësishëm për ndërtimin e paqes dhe pajtimit.
Sipas një raporti të vitit 2019 të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, vuajtja psikologjike që shkakton ndarja e familjeve mund të përcillet "nga një brez te tjetri". Raporti paralajmëron se kjo mund të lërë plagë të thella në historinë dhe strukturën shoqërore të komuniteteve të tëra, duke penguar procesin e shërimit kolektiv.
Megjithatë, ndarja e familjeve mbetet një çështje që shpesh neglizhohet në marrëveshjet e paqes. Baza e të dhënave Language of Peace, e cila përfshin 252 marrëveshje paqeje mes shteteve dhe është zhvilluar nga studiues të Universitetit të Cambridge-it, tregon se vetëm disa prej tyre përmendin në mënyrë të drejtpërdrejtë familjet. Mes tyre janë Marrëveshjet e Paqes të Parisit të vitit 1973, që synonin vendosjen e armëpushimit në Vietnam, si dhe Marrëveshja e Nairobit e vitit 1999 mes Sudanit dhe Ugandës.
Edhe në raste të tjera historike familjet kanë mbetur të ndara për dekada. Në Qipro, pas pushtimit turk të vitit 1974, një kufi pothuajse i pakalueshëm ndau familjet dhe, deri në hapjen e pikave të kalimit në vitin 2003, shumë prej tyre rrallë kishin mundësi të takonin të afërmit në anën tjetër.
Po kështu, më shumë se 70 vjet pas ndarjes së Gadishullit Korean, mijëra koreanë kanë vdekur pa pasur mundësinë të shohin edhe një herë njerëzit e tyre më të dashur.
Mbetet vetëm shpresa që familjet ukrainase të mos detyrohen të presin kaq gjatë për t'u ribashkuar.