Dëshmia në gjykatë e autorëve të plagosjes së Brian Syzos/ Autorët: Ishte një konflikt i çastit...

Burime nga gjykata bëjnë me dije se gjatë seancës për masën e sigurisë, autori Nikolla Agolli ka pranuar se mes tij dhe Brian Syzos ka pasur një konflikt të çastit. Sipas dëshmisë së tij para togave të zeza, ai është shprehur se është sulmuar nga Briani dhe ka qëlluar ndaj tij për ta neutralizuar dhe për të ndalur sulmin.

'Kisha mundësi ta vrisja dhe nuk e bëra', mësohet të ketë deklaruar autori.

Sa i përket të arrestuarit tjetër, David Prifti, ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Sipas dëshmisë së dhënë në seancë, Prifti është shprehur se nuk ka asnjë rol në këtë ngjarje. Ai ka deklaruar se ia kishte dhënë makinën e tij Nikolla Agollit dhe më pas ishte larguar me automjetin e të fejuarës drejt plazhit.

Ndër të tjera, Prifti ka pohuar se në vendet ku ka qenë ka kamera sigurie, të cilat, sipas tij, vërtetojnë se nuk ka gisht në ngjarje.

Në vijim pritet që prokuroria të verifikojë pamjet e kamerave të qytetit, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një përgjigje nga grupi hetimor lidhur me transkriptimin dhe analizimin e filmimeve të sekuestruara.

Në përfundim të seancës, e cila zgjati rreth dy orë, Gjykata e Pogradecit vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Nikolla Agollit dhe David Priftit, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë 'arrest në burg' për ngjarjen e plagosjes së Brian Syzos.