Terror para parlamentit/ Policia mbyt me gaz lotsjellës protestuesit, largon mediat për të fshehur dhunën ndaj qytetarëve
Tensionet kanë arritur kulmin para Parlamentit të Shqipërisë, ku forcat e policisë kanë nisur një valë shoqërimesh masive dhe të dhunshme ndaj protestuesve, duke bllokuar njëkohësisht mediat për të mos filmuar ngjarjet.
Gazetarja e Syri, Marsi Korreshi raporton nga terreni se pas përpjekjeve të qytetarëve për të çarë kordonin e sigurisë dhe thirrjeve për lirimin e protestuesve të ndaluar më herët, uniformat blu kanë ndërhyrë me forcë të paprecedentë.
Gazetarja Korreshi tha se kanë marrë urdhër të prerë për t'u larguar nga zona e aksionit policor, ndërsa kjo lëvizje, theksoi ajo, vjen si një tentativë për të fshehur veprimet e rrufeshme të policisë, sidomos pas ngjarjeve të kaluara ku mediat arritën të kapnin pamje virale të qytetarëve të pafajshëm duke u tërhequr zvarrë pa bërë asnjë rezistencë.
Gazetarja thekson se policia nuk ka kursyer as ujin me piper dhe as gazin lotsjellës, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë shëndetin e qytetarëve.
Aksioni agresiv ka bërë që persona të asfiksuar dhe të bllokuar nga gazi të prangosen e të tërhiqen zvarrë nëpër tokë, u shpreh gazetarja, ndërsa shtoi se ende mbetet ende i paqartë numri i të arrestuarve.
Ka një urdhër dhe efektivët e policisë janë gjatë gjithë kohës duke na kërkuar të spostohemi pas. Nuk na kanë lejuar as të afrohemi në momentet kur pati disa shoqërime masive pas një tensionimi të situatës të dhjetëra protestuesve që ishin përtej kordonit policor dhe kërkonin lirimin e të shoqëruarve që janë shoqëruar në protestën e ditës së sotme para parlamentit. Pas një tensionimi të situatës u bënë disa shoqërime të rrufeshme nga ana e policisë së shtetit dhe më pas, në momentin që media dhe kamerat u afruan për të parë nga afër atë se çfarë ndodhi, u dha urdhër që të mos lejoheshin dhe duke na kërkuar të largoheshim prej vendit ku po ndodhnin shoqërimet.
Ajo se çfarë mund të themi është se pati disa shoqërime që erdhën pas tentimit nga ana e dhjetëra qytetarëve, që po qëndronin nga ana përtej kordonit policor për ta çarë kordonin dhe për t'u futur në ambientet më afër parlamentit të Shqipërisë me thirrjet për lirimin e shumë protestuesve në fakt. Duhet theksuar që kësaj here kanë qenë të shumta në të shumtë shoqërimet e qytetarëve protestues dhe ashtu ndodhi edhe pak minuta më parë kur vetëm për shkak të tentativës së tyre për të çarë kordonin, policia hyri menjëherë në aksion për të shoqëruar në mënyrë me forcë disa prej tyre dhe për t'i larguar nga aty vetëm se ata po drejtonin thirrje për të liruar të gjithë protestuesit.
Të shumta kanë qenë edhe episodet e tilla edhe në shoqërimet e ditës së sotme, ku janë shoqëruar persona për tokë duke i tërhequr ato apo duke i shoqëruar me forcë dhe duke i tërhequr. Pra, siç ishte rasti që u bë viral i transmetuar në Syri Televizion, këto shoqërime në mënyra të dhunshme dhe me forcë për të shoqëruar protestuesit ka qenë e ndjekur edhe në protestën e ditës së sotme, ku janë shoqëruar shumë persona le të themi. Ende nuk kemi një numër të qartë nga ana e policisë, por nga ajo se çfarë kemi arritur të shquajmë nga vëzhgimi jonë në terren, të paktën në hyrjen kryesore të parlamentit kanë qenë masive shoqërimet.
Qoftë për një thirrje të tyre apo një hapi të tyre më shumë, ka çuar në prangosjen me forcë të protestuesve dhe nuk i kanë lejuar ata të bëjnë rezistencë. Disa prej tyre në fakt janë ndjerë keq edhe nga përdorimi, se sot ndryshe nga hera e shkuar, përveç ujit me piper që është përdorur nga ana e policisë për të larguar protestuesit, është hedhur edhe gaz lotsjellës. Pra, disa prej qytetarëve kanë qenë të bllokuar nga gazi lotsjellës, megjithatë janë arrestuar dhe shoqëruar nga policia duke qenë ashtu në një gjendje të rëndë për shkak të problemeve shëndetësore që kanë shfaqur.