Dhunë, gaz dhe ujë: Si eskaloi pushteti në brutalitet ndaj qytetarëve

Qytetarë të shumtë protestuan gjatë ditës së sotme para Parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të mazhorancës. Gjatë protestës, demonstruesit goditën në mënyrë simbolike me vezë automjetet luksoze të disa deputetëve, ndërsa situata u përshkallëzua kur forcat e Policisë së Shtetit ndërhynë për t'i larguar.

Pas këtij momenti, policia përdori gaz lotsjellës, autobotë me ujë dhe forcë fizike ndaj protestuesve, duke krijuar skena tensioni përpara godinës dhe në perimetrin e Kuvendit. Pamjet e transmetuara nga vendngjarja treguan përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve.

Protesta ishte thirrur si një reagim kundër qeverisë, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan largimin e Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Pavarësisht karakterit simbolik të veprimeve të tyre ndaj automjeteve të deputetëve, reagimi i forcave të rendit e ktheu tubimin në një përplasje të fortë, me përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmës. Agresiviteti i Policisë së Shtetit u bë më i madh pas deklaratave skandaloze të Kreut te Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, i cili fyeu rëndë qytetarët duke i quajtur mbeturina sociale dhe politike dhe duke i kërcënuar me emra shumë pre tyre për t’i intimiduar.

Ngjarja pritet të sjellë reagime në protestën e mbrëmjes, e cila është sot në ditën e 33-të të saj dhe zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët e kryeqytetit.

Kujtojmë se Taulant Balla ka paralajmëruar sot se mazhoranca ka veçuar një grup “protestuesish” të cilët pritet t’i takojë Edi Rama në ditët në vijim për të tentuar përçarjen dhe shuarjen e protestës.