Skandal në protestë, Gjinaj: Policia kthen kryeqytetin në zonë lufte, ushtron dhunë edhe ndaj medias
Një situatë e paprecedentë dhe tepër agresive është regjistruar gjatë protestave të fundit qytetare, ku forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe bombula shpërthyese pa kursyer askënd. Gazetari Fatjon Gjinaj qe u bë pre e dhunës policore tregon për Syri tv se mes të prekurve dhe të goditurve nga forcat policore janë edhe përfaqësues të medias, gazetarë, operatorë dhe staf teknik, të cilët ishin lehtësisht të identifikueshëm përmes logove të tyre. Sipas dëshmive dhe pamjeve vizuale, qëllimi i këtij operacioni brutal nuk ka qenë ruajtja e sigurisë publike, por mbrojtja e deputetëve nga goditjet me vezë dhe miell.
Marshimi qytetar, i cili ka vijuar për 33 ditë radhazi, është pritur me një represion disproporcional nga ana e autoriteteve. Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt tregojnë arrestime masive dhe me forcë ekstreme të personave të ndryshëm, përfshirë të rinj që ndodheshin në rrugë, të cilët janë tërhequr zvarrë nga efektivë civilë dhe me uniformë. Në sfond të këtyre pamjeve të rënda pranë zonës së Shallvareve dhe Pallatit të Madh, dëgjohen qartë thirrjet e dëshpëruara të qytetarëve që pyesin autoritetet: 'Pse me dhunë?'.
Kjo sjellje agresive po ngre pikëpyetje të forta mbi rolin e policisë, e cila po akuzohet gjerësisht për përdorimin e forcës në shërbim të politikës dhe pushtetit, në vend të zbatimit të ligjit. Dhjetëra persona raportohen të jenë shoqëruar nëpër komisariate që prej orëve të paradites, ndërkohë që ngjarjet e fundit dëshmojnë për një mungesë totale transparence dhe tolerance ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së tubimit në vend.
Fatjon Gjinaj: Fatmirësisht jemi në top formë, pavarësisht se për disa minuta gjendja jonë ishte njëlloj me të gjithë protestuesit. Por më lejoni të them që në këndvështrimin tim nuk është dëmi më i madh që mund të pësojmë gazi i hedhur edhe përmes bombulave shpërthyese që në fakt dukeshin sikur jemi në zonë lufte, por dëmi më i madh është vullneti, iniciativa, guximi i forcave të rendit për të sulmuar një shoqëri dhe një qytetari paqësore në këtë protestë, e cila ndonëse u përball me atë situatë që u përballëm edhe ne, ekipet e mediave, me kolegun Armand Varfi, me dhjetëra kolegë të televizioneve të tjera, operatorë, gazetarë, staf teknik.
Është duke vijuar marshimi në drejtim të Pazarit të Ri nga nëntëkatëshet. Ai lloj marshimi qytetar që ka vijuar prej 33 ditësh me ditën e sotme. Dhe përballet me atë reprezalje policore, atë fisnikëri policore jo për të siguruar rendin dhe sigurinë publike, por për të ruajtur deputetët që kostumet e tyre të mos bëhen pis nga vezët dhe mielli. Është një situatë tepër e rëndë në raport me proporcionalitetin që duhet të përdorin autoritetet. Dhe jo më kot janë këto thirrje policia e krimit, një polici e cila në 13 vite është denoncuar për lidhjet e saj me grupet e strukturuara kriminale, me operacione të dështuara totalisht. Ditën e djeshme pati një arrestim në Durrës për shkak të mosbesimit. Pikërisht nga mungesa e këtij besimi u arrestua nga vetë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ndërkohë që është duke vijuar marshimi në drejtim të Pazarit të Ri, do shohim me shumë gjasë do të shkojmë tek komisariati numër një, duke qenë se janë një sërë personash të ndaluar, ne kemi kapur dhe regjistruar disa prej arrestimeve që janë tepër të dhunshme, agresive, një polici që godet, godet edhe median e loguar, e identifikuar, e njohur.
Ne jemi çdo ditë në raportim, nuk kursen askënd. Janë disa dhjetëra të shoqëruar. Disa prej tyre janë shoqëruar që në orët e paradites dhe ndërkohë që ka vazhduar arrestimi masiv edhe pak minuta më parë.