Kremlini: Moska s’mund ta injorojë angazhimin e BE-së për përballje me Rusinë
Rusia nuk mund ta injorojë faktin se Evropa është nisur në rrugën e militarizimit dhe po i përkushtohet përballjes me Moskën, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai beson se është e qartë se Evropa po përshkallëzon tensionet me Rusinë.
“Është gjithashtu e qartë se, ndërsa Bashkimi Evropian zhvillon identitetin e vet mbrojtës, ai është nisur në një rrugë militarizimi dhe po i përkushtohet përballjes me Rusinë. Sigurisht, ne nuk mund ta injorojmë këtë”, tha Peskov raporton agjencia shtetërore e lajmeve ruse, TASS.
Deklarata e Kremlinit, erdhi disa orë pasi zyrtarët evropianë të enjten dënuan sulmet e fundit të natës të Rusisë ndaj Ukrainës, të cilat Kievi tha se vranë 13 persona.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas njoftoi plane për të propozuar sanksione të reja, që synojnë entitetet që mbështesin kompleksin ushtarako-industrial rus.