India dhe Japonia nisin një 'kapitull të ri' partneriteti, Modi pret Takaichin në New Delhi

Kryeministri indian Narendra Modi priti të enjten homologun e tij japoneze, Sanae Takaichi për bisedime në New Delhi, duke e përshkruar takimin si fillimin e një "kapitulli të ri" në partneritetin e tyre të veçantë strategjik dhe global.

“Besimi i ndërsjellë është aseti ynë më i madh strategjik”, tha Modi në deklaratat e tij për shtyp pas bisedimeve me Takaichi-n, e cila ndodhet në një udhëtim tre-ditor në kombin e Azisë Jugore për samitin e 16-të vjetor Indi-Japoni në New Delhi.

“Japonia ka qenë një pjesë integrale e historisë së rritjes së Indisë dhe… partneriteti teknologjik do të jetë shtylla më e fortë e bashkëpunimit tonë”, tha kryeministri indian. “Për të realizuar këtë vizion, ne kemi lëshuar gjithashtu një deklaratë të përbashkët sot në lidhje me fushën e inteligjencës artificiale (IA).”

Lidhur me sektorin e mbrojtjes, ai tha: “Ne do të zhvillojmë së bashku teknologji të tilla mbrojtëse që do të forcojnë paqen rajonale, sigurinë detare dhe rendin e bazuar në rregulla.”

Ai theksoi se të dyja palët do të “forcojnë qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit në fusha strategjike si gjysmëpërçuesit, materialet kuantike dhe të përparuara”.

Në fjalën e saj, Takaichi tha se krijimi i një “marrëdhënieje bashkëpunuese ndër-plotësuese” midis Japonisë dhe Indisë është “bërë gjithnjë e më e rëndësishme”, në mes të “rrëmujës” në çështjet ndërkombëtare.

“Ne ramë dakord të thellojmë bashkëpunimin strategjik… për të arritur qëllime të tilla të përbashkëta. Zgjerimi i bashkëpunimit për sigurinë detare është veçanërisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin rajonal”, tha ajo.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Takaichi-t në Indi, dhe vjen pas vizitës së Modi-t në Tokio gushtin e kaluar.

Pas bisedimeve në nivel delegacioni, të dyja palët miratuan një deklaratë të përbashkët mbi sigurinë ekonomike, dhe deklarata të përbashkëta mbi bashkëpunimin në inteligjencën artificiale dhe qëndrueshmërinë e energjisë.

Ata gjithashtu shkëmbyen memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje në sigurinë ekonomike, energjinë e pastër, teknologjitë kritike dhe kërkimin e zhvillimin./ AA.