Plug/ Si u sugjeronte Rama grupeve kriminale studiot që projektonin kullat dhe heshtja e SPAK

Plug, kullat dhe krimi

Në librin The Albania Files gjenden të dhëna tronditëse, se si grupet kriminale kanë ndërtuar kulla me projekte të hartuara nga studio ndërkombëtare arkitekturore.

Skandali qëndron në faktin se këto studio u janë sugjeruar grupeve kriminale nga Kryeministri Edi Rama.

Një dëshmi e tillë del nga dosja e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit nga Rrumi i Shijakut. Gërshetimi i të dhënave të dosjes së Rrumit me të dhënat e librit do ta çonte përpara drejtësisë edhe kryeministrin Edi Rama, por SPAK e ka amnistuar.

Libri me projekte arkitekturore The Albania Files është një thesar për SPAK-un, që në fakt do të duhej të ishte marrë shumë kohë më parë. Emisioni Plug publikoi të dhëna se si ndërthuren krimi i organizuar, qeveria dhe studiot arkitekturore. Teksa në dosjen Aruba, Altin Dumani është kujdesur të fshehë emrin e qeveritarëve që kanë qenë pjesë në takim, duke mos ngritur asnjë akuzë për kryeministrin Edi Rama, The Albania Files zbulon pikërisht se si kryeministri u ka ofruar grupeve kriminale arkitektët që do të projektonin kullat apo resortet turistike.

Do të mjaftonte dosja, e cila u mbajt në sitë nga ai për muaj me radhë dhe ai veproi vetëm pasi kishte ndodhur masakra zgjedhore e vitit 2025. Bëhet fjalë për dosjen e Aleksandër Lahos, ku, ndër episode të ndryshme, personazhe të përfshirë në këtë dosje flasin për vjedhje masive të tokave në Lalëz. Flitet edhe për zhdukje masive të regjistrave të ASHK-së, që vetëm Altin Dumani nuk i gjen dot se kush i ka bërë.

Dhe më e rëndësishmja për denoncimin e The Albania Files është se Edi Rama është ai që përcakton se kush do të marrë dhe kush jo leje, dhe në fund është po ai që u përcaktonte secilit grup kriminal se me kë nga arkitektët e tij do të punonin. Por edhe kjo është një skemë e padukshme për SPAK-un, edhe pse çdo provë është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Konkretisht, dosja me numër 235 e vitit 2020 do të tregonte se si anëtarët e grupeve flisnin me njëri-tjetrin për arkitektët e huaj që ua jepte Edi Rama.

Pra, sipas bisedave në SKY ECC, aplikacion që përdorej nga kriminelë apo edhe politikanë shqiptarë, "i gjati", që të gjithë e dimë kush është, u kishte dhënë "ok" për të ndërtuar në Kepin e Rodonit. Madje, këta po prisnin që në janar t'u caktonte edhe emrin e arkitektit, që sipas tyre mund të ishte edhe një Emre turk. Sipas librit The Albania Files, në faqen 306 të tij, radha për të shprehur dashurinë për Edi Ramën i takon kompanisë EAA – Emre Arolat Architecture, që me shumë gjasa i bie të jetë Emreja turk për të cilin flasin zotërinjtë në SKY ECC.

Sipas të dhënave të vetëdeklaruara nga EAA, ajo ka filluar të punojë në Shqipëri në vitin 2019 për projektin "Lura 5 Hotel & Residences", zonë shumë afër Kepit të Rodonit.

Pra, në përgjime rezulton se anëtarë të organizatave kriminale flasin për projektin, për konfirmimin nga "i gjati", për caktimin e arkitektit prej tij. Në libër ky projekt bëhet fakt me firmë të Edi Ramës, por për SPAK-un lidhja e këtyre provave duket shumë intelektuale, pasi përgjegjës për këtë është drejtpërdrejt KUMBARI.

Do të mjaftonte ky libër dhe këto të dhëna që Altin Dumani, heroi i fëmijëve rilindas, të bënte detyrën, të ngrinte akuzë ndaj Edi Ramës për këto afera. Por ky nuk është i vetmi rast. Ka plot raste të tilla nëpër dosjet e sjella nga partnerët që fshihen nga Dumani, por tashmë libri The Albania Files ia pamundëson këtij të fundit edhe të fshehë kokën si struci. Libri është plot me dëshmi.

Në libër janë dhjetëra studio arkitekturore, të cilat kanë bërë jo vetëm projekte private, ku kanë projektuar kullat, që tashmë po rezultojnë se janë ndërtuar me paratë e trafikantëve të drogës, por njëkohësisht kanë marrë edhe para publike. Pavarësisht provave të pakundërshtueshme që përmban ky libër, SPAK deri më tani nuk ka denjuar të marrë në konsideratë asnjë provë që tregon pikërisht lidhjen e krimit, qeverisë dhe studiove arkitekturore.