EMRI/ U aksidentua në punë, ndërron jetë shqiptari 27-vjeçar në Itali

Punëtori 27-vjeçar nga Gemona vdes pas 4 ditësh agoni. Viktima u përfshi në një aksident në punë në provincën e Padovës. Ai është me origjinë shqiptare.

Nga Cesare Arcolini, UDINE TODAY

Pas katër ditësh shpresash të kota, më 30 qershor, në spitalin e Padovës, ndërroi jetë Florian Cani, një punëtor shqiptar 27-vjeçar.

Ai ishte aksidentuar më 26 qershor në rrugën Via Gorghizzolo, në Due Carrare (provinca e Padovës), kur u shtyp nga një shtyllë druri e telekomunikacioneve që ra mbi të.

Si pasojë e goditjes, ai humbi menjëherë ndjenjat.

Floriani u transportua me helikopter drejt spitalit, ku u shtrua në repartin e terapisë intensive dhe iu nënshtrua të gjitha trajtimeve të nevojshme. Megjithatë, mjekët nuk arritën ta shpëtonin dhe më 30 qershor konstatuan vdekjen e tij.

Viktima, që banonte në Gemona, nuk e rifitoi kurrë vetëdijen. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën karabinierët e kompanisë së Abanos dhe teknikët e SPISAL-it, të cilët kryen të gjitha hetimet dhe verifikimet ligjore. Që në fillim u kuptua se gjendja e tij klinike ishte shumë e rëndë.

Vdekja e tij është një tjetër rast tragjik i një punëtori që humb jetën në vendin e punës në provincën e Padovës, duke shtuar numrin e aksidenteve fatale në punë. Ngjarja ka tronditur familjarët e 27-vjeçarit, të cilët deri në fund shpresuan për një mrekulli që, fatkeqësisht, nuk ndodhi.