Vlorë/ Shpërthim me tritol në një lokal në orët e para të mëngjesit, dëmtohet edhe një makinë
Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse, e cila dyshohet të ketë qenë tritol, ka tronditur qytetin e Vlorës në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00, ku objektiv ka qenë një lokal në qytetin bregdetar.
Si pasojë e shpërthimit të xhamave dhe mureve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e brendshme dhe të jashtme të biznesit.
Gjithashtu, nga vala e goditjes është dëmtuar edhe një automjet që ndodhej i parkuar aty pranë. Fatmirësisht, për shkak të orës së vonë, nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Vlorës dhe grupi i ekspertizës kriminalistike.
Efektivët kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur këqyrjen e ambientit si dhe grumbullimin e provave materiale e sekuestrimin e kamerave të sigurisë për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Deri më tani nuk ka asnjë person të shoqëruar, ndërsa grupi hetimor po punon intensivisht për identifikimin e autorit ose autorëve të këtij sulmi dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Policia Vlorë/ Informacion paraprak
Sot, rreth orës 03:45, në lagjen "Pavarësia 3", në derën e një lokali në pronësi të shtetasit G.P., është vendosur një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë, janë shkatuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.