Shirat e rrëmbyeshëm godasin Bregun e Fildishtë dhe Ganën, 59 viktima dhe dhjetëra të zhdukur

Përmbytjet e fundit në Bregun e Fildishtë kanë vrarë të paktën 59 persona, tha të mërkurën një zëdhënës i qeverisë.

Duke folur pas një mbledhjeje të kabinetit, Amadou Coulibaly u tha gazetarëve se “këshilli shpreh keqardhje për numrin e lartë të vdekjeve prej 59 këtë vit”.

Të hënën, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm disa ditë në kryeqytetet e Ganës dhe Bregut të Fildishtë lanë të paktën 24 persona të vdekur dhe më shumë të zhdukur.

Coulibaly nuk specifikoi se sa njerëz kishin vdekur si pasojë e përmbytjeve më të fundit në Bregun e Fildishtë.

Ndërtesa dhe rrugë të tëra u përmbytën në Accra të Ganë të hënën, duke bllokuar aksesin në disa zona të kryeqytetit të Ganës dhe në qytetin fqinj Tema.

Në Bregun e Fildishtë, disa ditë shiu sollën përmbytje që lanë më shumë se një duzinë të vdekur, shumica e tyre në komunat Attécoubé dhe Yopougon në kryeqytetin Abidjan, sipas Ministrit të Kohezionit Kombëtar Myss Belmonde Dogo.

Coulibaly u bëri thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë dhe të largohen nga zonat e përcaktuara si me rrezik të lartë nga qeveria.

Përmbytjet vdekjeprurëse janë të zakonshme në disa pjesë të Afrikës, e cila është ndër rajonet e botës më të ndjeshme ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, pavarësisht se është përgjegjëse për një pjesë të vogël të emetimeve globale të gazrave serrë, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike.