Gjermania ngriti padi ndaj një ukrainasi për sabotimin e tubacionit të gazit Nord Stream
Një prokuror federal gjerman ka ngritur padi ndaj një shtetasi ukrainas për hedhjen në erë të tubacionit të gazit Nord Stream në vitin 2022, duke e çuar një nga rastet më të ndjeshme politikisht të sabotimit në Evropë një hap më afër gjyqit.
"Aktakuza kundër Sergio K. na u dorëzua sot", tha për Reuters firma ligjore Menacker me seli në Berlin, e cila e përfaqëson atë, por nuk dha detaje mbi akuzën.
Transmetuesi publik gjerman ARD dhe mediat Zeitung dhe Die Zeit njoftuan se prokurorët po akuzojnë ukrainasin për sulm ndaj infrastrukturës civile të energjisë, duke shkaktuar një shpërthim dhe duke shkatërruar ndërtesa.
Sipas të dhënave të urdhër-arrestit, njoftimeve të mëparshme për shtyp dhe një urdhri paraburgimi të Gjykatës Federale të Drejtësisë të dhjetorit 2025, prokurorët pretendojnë se Serhij K. ndihmoi një ekip që përdori anijen me vela Andromeda për të vendosur pajisje shpërthyese në tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 pranë ishullit danez Bornholm në shtator 2022.
Prokurorët dhe gjykata dyshojnë se ekuipazhi i "Andromedës" përbëhej nga një koordinator, një kapiten, katër zhytës dhe një specialist eksplozivësh, me Serhij K. të dyshuar se vepronte si koordinator dhe udhëheqës ekipi në anije, dhe jo si zhytës apo ekspert bombash.Shpërthimet, të cilat Rusia dhe vendet perëndimore i cilësuan si sabotim, prenë rrugët kryesore për furnizimin e gazit rus në Evropë, duke thelluar krizën energjitike, e cila e goditi veçanërisht rëndë Gjermaninë .
Gjykatat gjermane vendosën të kenë juridiksion, sepse tubacionet e dëmtuara të gazit përfundojnë në shtetin federal të Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, dhe dëmtimi i tyre ndikoi shumë në sigurinë energjetike dhe të brendshme të Gjermanisë.
I dyshuari është i listuar në regjistrat e gjykatës si shtetas ukrainas, i cili ishte oficer në njësinë e forcave speciale ukrainase në kohën e sabotimit të tubacionit të gazit.
Gjykata e Lartë Rajonale në Hamburg tani duhet të vendosë nëse do ta pranojë aktakuzën dhe të përcaktojë fillimin e gjyqit.
Serhij K. u arrestua në gusht të vitit 2025, ndërsa ishte me pushime në Itali me familjen e tij. Për muaj të tërë ai luftoi kundër ekstradimit në Gjermani dhe për një kohë bëri grevë urie.